S’është kohë për Junkerët

Ditën e sulmit mbi Bastijë në vitin 1789, mbreti Luigj XVI shkroi në ditarin e tij, “asgjë”. Pak udhëheqës europianë do të shtypnin gërmat Timothy Garton Ash“asgjë” në iPadet e tyre sot, por ekziston një rrezik real që, në përgjigje të thirrjeve revolucionare anembanë kontinentit, ata praktikisht të mos bëjnë asgjë. “Asgjëja” e sotme ka një fytyrë dhe një emër. Emri është Junker. Zhan-Klod Junker.Do ishte një reagim katastrofik i tipit “në vendnumëro” nga udhëheqësit europianë, nëse ata do vendosnin të bënin Junkerin – kandidat i grupit më të madh parlamentar në Parlamentin e ri Europian, ai i qendrës së djathtë të Partive Popullore – president të Komisionit Europian. Luksemburgasi i shkathët ka qenë kryeministri më jetëgjatë i një qeverie kombëtare të Bashkimit Europian, dhe kreu i Eurogrupit përgjatë krizës më të madhe të eurozonës. Edhe pse ai ka aftësi të konsiderueshme si politikan dhe njeri i kompromisit, Junker personifikon gjithçka për të cilën votuesit protestues nga e majta në të djathtë, shohim me mosbesim elitat e distancuara europiane. Ai është, si me thënë, Luigji XVI i BE-së.Rreziku gjithashtu fshihet në atë që pritet të ndodhë brenda Parlamentit Europian. Zhvillimi më i mundshëm është njëfarë megakoalicioni i paparë deri më sot, i rrymave kryesore partiake, qendra e djathtë, qendra e majtë, liberalët dhe (të paktën në disa çështje) të gjelbrit, për t’i mbajtur të gjitha partitë anti-BE në distancë sigurie. Nëse edhe gjashtë a më shumë partitë nacionaliste ksenofobe e pranojnë të udhëhiqen nga triumfuesi Fronti Nacional i Marinë Le Penit, duke tejkaluar dallimet mes tyre për të krijuar një grup zyrtar parlamentar, kjo do t’u sigurojë atyre financime (nga xhepat e taksapaguesve europianë) dhe një pozitë më të fortë në procedurat parlamentare, por gjithsesi jo mjaftueshëm vota për të mposhtur grand-koalicionin centrist.A është vërtet diçka e mirë kjo? Po, në planin afatshkurtër. Por vetëm nëse ky koalicion i madh mbështet disa reforma vendimtare për Bashkimin Europian. Të cilat duhet të fillojnë, simbolikisht, duke anuluar një herë e mirë zhvendosjen absurde që bëhet rregullisht nga selia e bollshme e Brukselit në shtabin e dytë luksoz të Strasburgut – versioni i BE-së për Versajën – me një kosto prej 180 milionë eurosh çdo vit. Nëse, megjithatë, koalicioni i paparë nuk justifikon atë çka presin kaq shumë europianë për pesë vitet e ardhshme, kjo veçse do të forcojë akoma më shumë votën anti-BE në zgjedhjet e radhës. Dhe atëherë të gjitha partitë tradicionale do të jenë përgjegjëse për dështimin.E vetmja rreze drite në këtë re të errët me përmasa kontinentale, është fakti se për të parën herë që kur zgjedhjet e drejtpërdrejta parlamentare europiane filluan në vitin 1979, numri i votuesve nuk ka parë rënie. Nga vendi në vend, pjesëmarrja varion ndjeshëm – në Sllovaki dolën në zgjedhje vetëm 13% e votuesve – por në Francë, për shembull, votuan shumë më tepër zgjedhës nga hera e kaluar. Pra, ajo çka proeuropianët kanë predikuar prej kaq shumë kohësh, më në fund ndodhi: Qytetarët europianë u angazhuan aktivisht në procesin demokratik mbareuropian. Por, ironia e ironive, ata e bënë këtë për të votuar kundër BE-së!Atëherë, çfarë po u thonë europianët udhëheqësve të tyre? Mesazhi i përgjithshëm është ilustruar shkëlqyeshëm nga karikaturisti Chappatte, që vizatoi një grup protestuesish duke mbajtur një pankartë ku shkruhet “Të Palumtur”, dhe njëri prej tyre ulërin përmes megafonit tek një kuti votimi. Ka 28 shtete anëtare të Bashkimit, dhe 28 lloje të ndryshme palumturie. Disa prej partive të suksesshme protestuese ndaj BE-së, janë në të djathtën ekstreme: në Hungari, fjala vjen, Partia Jobbik mori tri vende dhe 14% të votave. Shumica, si UKIP në Britani, tërheq votues nga e majta dhe e djathta, duke përkëdhelur ndjesi të tilla si “na ktheni mbrapsht atdheun e grabitur” dhe “shumë jabanxhinj, shumë pak vende pune”. Por në Greqi, vota e madhe e protestës shkoi tek radikalja e majtë Syriza, që është kundër masave shtrënguese financiare.Sajmon Hiks, ekspert në Parlamentin Europian, ka identifikuar tri “shkolla” të ndryshme pakënaqësie: Europiano-veriorët jashtë eurozonës (britanikët, danezët), europiano-veriorët brenda eurozonës (votat gjermane pro partisë anti-euro Alternativa për Gjermaninë, që mori disa vende në Europarlament) dhe europianët e jugut brenda eurozonës (portugezë dhe grekë). Kjo lë jashtë europiano-lindorët, shumë prej të cilëve janë të palumtur në mënyrat e tyre. Fakti që pakënaqësia vjen nga kaq shumë drejtime e këndvështrime, e bën atë më të vështirë për t’u adresuar: Ëndrra e një votuesi të Syrizës për politikat që duhet të ketë eurozona, është makthi i votuesit të Alternativës për Gjermaninë.E megjithatë, të gjithë të pakënaqurit kanë një të përbashkët: Frikën për shanset që do kenë në jetë fëmijët e tyre. Deri aty tek 10 vjet më parë, supozimi i përgjithshëm në kontinent, ishte se gjërat do të jenë më mirë për brezin e ri të europianëve. Projekti “Europë” ishte pjesë e një historie më të gjerë progresi. Por një sondazh i Eurobarometrit në fillim të vitit zbuloi se, më shumë se gjysma e të anketuarve besonin që jeta e fëmijëve në BE do të jetë më e vështirë se e tyrja. Ekziston që tani një brez i shkolluar europianësh që mendon se i kanë gënjyer kur u kanë thënë se po vjen një e ardhme më e mirë. Ata janë anëtarë të një klase të re: Prekariatët, punonjësit e përkohshëm.Në një moment kaq dramatik për krejt projektin europian, ia vlen të kthehemi mbrapsht në rrënjët e historisë, në Kongresin e Europës më 1948, kur mbrojtësi veteran i Pan-Europianizmit, Riçard Kudenhouv-Kalergi paralajmëroi kolegët e vet bashkëthemelues: “Le të mos harrojmë kurrë, miqtë e mi, se një bashkim europian është mjeti dhe jo qëllimi”. Aq sa ishte i vërtetë atëherë, aq është edhe sot ky pohim. Bashkimi Europian nuk është një qëllim në vetvete. Ai është mjeti për qëllimin e ofrimit të një jete më të mirë, më të begatë, të lirë, të sigurt, për popujt e vet.Prandaj, ajo që ne kemi nevojë urgjente sot, është një ndryshim radikal i këndvështrimit. Mjaft më me ato debatet e pafundme institucionale. Çështja nuk është “më shumë apo më pak Europë”, por: më shumë apo më pak çfarë? Fjala vjen, neve na duhet më shumë treg i unifikuar në energji, telekomunikacion, internet dhe shërbime, por mund të na duhet më pak politika qendrore brukselase për kulturën dhe peshkimin.Çdo hap që mund të siguronte qoftë dhe një vend pune plus për të papunët aktualë të Europës, duhet të ndërmerret. Çdo centimetër shirit të kuq që lë pa punë dikë, duhet grisur. Kjo nuk është koha për Junkerët. Momenti që po kalojmë kërkon një Komision Europian që mbledh të gjitha talentet bashkë, të udhëhequr nga dikush që posedon aftësitë e provuara të Paskal Lamisë apo Kristinë Lagardit, totalisht të përkushtuar në detyrën për të bindur legjionet e të palumturve se ekziston vërtet një e ardhme më e mirë për fëmijët e tyre, dhe ajo e ardhme gjendet me Europën.Kjo është ajo çka duhet të ndodhë. Por, a do të ngjasë kështu? Unë kam një parandjenjë të frikshme deri në palcë, se historianët e ardhshëm mund të shkruajnë për zgjedhjet e majit 2014: “Ato ishin këmbanat e alarmit, që Europa nuk deshi t’i dëgjojë!”(Marrë nga MAPO)