Danielsson-politikës:Të bashkuar kundër krimit, integrimi objektiv kombëtar
Tiranë- Politika duhet të dalë nga interesat e ditës, e ardhmja europiane e Shqipërisë duhet të jetë objektiv kombëtar. Këtë mesazh ka përcjellur Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, Christian Danielsson, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas tij forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është e rendësishme jo vetëm për integrimin e vendit, por edhe për përmirësimin e standardeve të jetesës së shoqërisë shqiptare.“BE vazhdon të mbetet me ju, si mbështetësi juaj dhe i aspiratave të Shqipërisë për të vazhduar në rrugëtimin e saj drejt BE-së.Dhe që të sigurohet shteti i së drejtës sundimi i ligjit duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe këto janë aspektet kyçe në këtë fushë. Natyrisht këto nuk duhen të shihen si elementët të rëndësishën vetëm se pse Shqipëria vazhdon rrugëtimin drejt BE. Por mbi të gjitha këto elementë janë tejet të rëndësishëm për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe për çdo qytetar shqiptar apo çdo aktor tjetër të shoqërisë shqiptare.Do të thotë përmirësimi i standarteve të jetesës dhe natyrisht mirëqenie për të gjithë. Dhe ne kemi kuptuar që këtë presin qytetarët shqiptarë nga udhëheqësit e tyre politik, prandaj suksesi për këto punë, për këto përpjekje do të varet shumë nga dëshira për të lënë çdo gjë tjetër mënjanë.Le të lemë pra çdo konsideratë tjetër politike mënjanë për të siguruar që pikërisht e ardhmja europiane e Shqipërisë është objektiv kombëtar” tha ai.Danielsson nuk ka dashur të zbulojë shumë nga progres-raporti i KE, pavarësisht interesit të gazetarëve nëse është rritur lufta kundër trafiqeve në këto 6 muaj.“Edhe pse sot është vërtet fantastike që jam në Shqipëri, dhe që është edhe një mundësi shumë e mirë të flas përpara jush, nuk besoj se ju prisni që unë t’ju flas juve për ato gjëra që ne shkruajmë në raport, përpara se raporti të jetë miratuar. Çfarë mund të them, është ajo që po shikojmë ne, e cila është detyra që na kanë lënë shtetet anëtare të BE dhe ajo është të shikojmë zhvillimet në Shqipëri që prej muajit dhjetor, si dhe vazhdimësi ose qëndrueshmëria e zhvillimeve, dhe përpjekjeve për reforma që po bën qeveria shqiptare në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër korrupsonit dhe reforma në gjyqësor. Dhe natyrisht këto janë përpjekje për reformë që kanë disa vite që po bëhen” tha ai.Nga ana tjetër Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të luftuar trafikun e drogës dhe trafikun e qenieve njërëzore.“E sigurova z.Drejtor për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të luftuar trafikun e drogës dhe trafikun e qenieve njërëzore, siç e garantova që qeveria shqiptare nuk do të lejojë më të përsëritet situata që gjetëm kur morëm detyrën vitin e kaluar me mbjellje masive të lëndëve narkotike, por do të marrim masa siç kemi filluar të marrim masa nëpërmjet planit strategjik të veprimit të miratuar të Policisë së Shtetit, i cili është hartuar bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të parandaluar kultivimin e lëndëve narkotike dhe për të luftuar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike.Unë jam vërtet shpresë-plotë që bashkëpunimi i Policisë Shqiptare, Ministrisë së Punëve të Brendshme, i qeverisë me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere, siç ka dhënë rezultate deri më sot, do të japë rezultate ende më të mira, në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht korrupsionit elitar, dhe pa asnjë dyshim në luftën kundër paligjshmërisë në tërësi.Ne jemi të vendosur që këtë luftë ta çojmë përpara dhe rezultatet, siç kanë ardhë deri tani, do të jenë shumë më të mira në vijim” tha Tahiri.Prej dy ditësh Christian Denilsson zhvilloi takime me drejtuesit kryesorë të mazhorancës dhe opozitës, ku në fokus të takimeve ishte integrimi europian i vendit dhe reformat e bëra deri tani.