Greqi, pako bombë në komisariatin ku u mbajt Ilia Kareli
Greqi- Komisariati i Iteas në Greqi, ku u mbajt i burgosuri shqiptar Ilia Kareli është alarmuar mengjesin e sotem.
Shkak është bërë një dërgesë postare, që përmbante as më shumë dhe as më pak se 600 gram dinamit të lidhur me kabllo si dhe një libër fetar.
Mediat greke raportojnë se pakoja bombë ishte në emër të shefit të komisariatit, A.Holeba. Sipas ekspertëve të policisë, mendohet se nëse marrësi do e kishte hapur pakon do kishte humbur jetën, si pasojë e shpërthimit.
Policia greke dyshon se pakoja ka të bëjë çështjen Kareli, shqiptari që u gjet i vdekur brenda në qelinë e tij, në burgun Malandrino të enjten e 27 marsit si pasojë e dhunës së ushtruar nga rojet e burgut.
Kjo pasi vetëm 17 ditë më parë një grup i vetëquajtur “Zero Bandat- Hakmarrja” do të merrnin përsipër shpërthimin e një granate në automjetin në pronësi të gardianit G. Baradaki, të ndodhur në 8 prill në qytetin Egaleos.“Ky sulm është një akt minimal kujtese për vrasjen e të burgosurit Ilia Kareli”, thuhet në deklaratën e grupit.Ajo që vuri në lëvizje policinë greke për parandalimin e ndonjë sulmi tjetër të ngjashëm ishte ajo çka shkruhej më tej në mesazhin e shpërndarë nga “Zero Bandat- Hakmarrja”.“Të gjithë gardianët që morën pjesë në torturimin dhe vrasjen në grup të Ilia Karelit, nga sot janë të shënjestruar. Edhe ata që nuk u arrestuan, janë në listën përfundimtare ‘të fshirjes’”, thuhet në deklaratën e grupit, ku kercenimet nuk mbarojne me kaq.“Kudo që të fshihen, në çdo detyrë që të shkojnë, duhet të dinë se do t’i zbulojmë. Po ashtu edhe gardianët e burgosur, në çdo burg apo sektor sigurie që të shkojnë, do të takohen me fatin e tyre. Orët e tyre janë të numëruara”, vijon deklarata.