Kroacia mbështet statusin, Leko: Shqipëria e meriton, BE ka nevojë për ju

Tiranë- Brenda 48 orësh Shqipëria ka marrë premtime të forta për avancimin e saj në rrugën drejt BE-së.Vetëm një ditë pas angazhimit të Greqisë të shprehur nga kryeparlamentari helen, kreu i Kuvendit Ilir Meta ka marrë garancinë e homologut kroat, Josip Leko, se Kroacia do të mbështesë marrjen e statusit të kadidatit nga vendi ynë.“Dhe për mendimin tonë, e theksoj që të gjitha vendet e Europës Juglindore, pra të rajonit tonë, duhet të jenë në të ardhmen anëtare të Bashkimit Europian. Shpresoj që përpjekjet tona të përbashkëta të kontribuojnë në këtë drejtim.Mbas dy javësh është edhe mbledhja në Bukuresht. Përveç politikave të Europës, ne kemi mendimin që të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtare të Bashkimit Europian dhe ne duhet të luftojmë dhe të përpiqemi në këtë drejtim. Kroacia është e pikëpamjes, që jo vetëm në Tiranë, por edhe në Bruksel të përpiqet që Shqipëria në muajin qershor të jetë pra kandidate për hyrjen në Europë. Ne mendojmë që kjo nuk është vetëm interesi i Shqipërisë apo i Kroacisë, por është në interes edhe të Bashkimit Europian, që Shqipëria e meriton plotësisht që të jetë kandidate për Europën e Bashkuar” theksoi Leko.Nga ana tjetër Meta vlerësoi anëtarësimin e Kroacisë në BE, duke thënë se Shqipëria ka tashmë një aleat më shumë në familjen europiane që e mbështet.“Anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Europian një vit më parë, është një ngjarje e madhe historike, jo vetëm për popullin kroat, por ka një domethënie kuptimplotë për të gjithë vendet e rajonit tonë, dhe padyshim edhe për Shqipërinë.Me anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Europian, Shqipëria ka fituar një aleat të rëndësishëm brenda Unionit te i cili mbështetemi në përshpejtimin e axhendës sonë europiane. Marrëdhëniet ndër parlamentare në kuadër të procesit të integrimit marrin një dimension të veçantë sepse Shqipëria e vlerëson në mënyrë të veçantë ekspertizën kroate përgjatë këtij procesi. Edhe prania e z.Leko sot në Tiranë dhe gjatë këtyre ditëve është një tregues i vëmendjes së përhershme dhe në rritje që Kroacia i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë. Kemi rënë dakord që t’i intensifikojmë më tej shkëmbimet midis dy parlamenteve tona, si përmes grupeve reciproke të miqësisë, ashtu edhe komisioneve parlamentare” deklaroi Meta gjatë konferencës së përbashkët për mediat. Dy kryetarët, z. Meta dhe z. Leko, vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kroacisë, që sipas tyre, reflektohet dhe nga zhvillimi i dialogut politik intensiv, i shkëmbimeve gjithnjë edhe në rritje, si dhe bashkëpunimi më i ngushtë në kuadër të përshpejtimit të integrimit evropian të Shqipërisë.takimi_metaKryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe homologu i tij kroat shprehën bindjen se shkëmbimet ekonomike duhet të reflektojnë të njëjtin nivel si marrëdhëniet e shkëlqyera politike,Në këtë drejtim, z.Meta dhe z.Leko, nënvizuan rëndësinë e përfitimit të përbashkët nga projekte të rëndësishme, madhore sikurse është projekti i TAP-it dhe përfshirja edhe e vendeve të tjera të rajonit dhe të Kroacisë në këto projekte të cilat do të rrisin akoma më tej sigurinë energjetike të vendeve tona, por edhe të Bashkimit Europian.Nishani takon Lekon, vlerëson qasjen rajonale të Kroacisë ndaj KosovësGjatë qëndrimit në vendin tonë, Në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Konferencës së XII të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, kreu i parlamentit të Kroacisë u prit në një takim edhe nga kreu i shtetit, Bujar Nishani.Presidenti Nishani dhe Kryeparlamentari Leko shprehën kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe diskutuan për një gamë të gjerë mundësish për promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh, duke përfshirë veçanërisht fusha të tilla si turizmi, energjetika, turizmi, bujqësia, ambienti dhe teknologjia.Gjithashtu, të dy bashkëbiseduesit u dakortësuan për rritjen e ndërveprimit midis dy shteteve tona në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, të Nismës Adriatiko-Joniane, zbatimin e Projektit TAP dhe Autostradën Adriatiko-Joniane dhe integrimit evropian. Kreu i Shtetit dhe Kryeparlamentari Leko u ndalën gjithashtu edhe tek zhvillimet e fundit në rajon dhe ndanë mendimin se Kroacia dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë konsultimet dhe kontaktet e shpeshta për shkëmbimin e mendimeve në të gjitha nivelet për çështje të ndryshme në interes të vendeve tona, rajonit dhe më gjerë.nishani me kroatinNë këtë frymë, Presidenti shprehu besimin në marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë në qershor të këtij viti, falënderoi Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe theksoi se Kroacia mbetet një partner shume i rëndësishëm dhe model në rrugëtimin evropian, ndërsa vlerësoi qasjen rajonale, veçanërisht ndaj Kosovës, si një kontribut të vyer për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë.Nga ana e tij, Kryeparlamentari Leko nënvizoi se Kroacia mbështet integrimin e të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë edhe Kosovën, në Bashkimin Evropian dhe në të gjitha nismat rajonale, duke shtuar se vendi i tij ka qenë dhe mbetet në favor të marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, bazuar në arritjet e mëdha dhe përkushtimin në reforma.