Qeveria e re në Maqedoni, skemat e pretendimet shqiptare
Shkup- Menjëherë pas zgjedhjeve të mbajtura më 27 prill, në Maqedoni kanë nisur hipotezat për formimin e qeverisë së re.Sigurisht, që një theks të veçantë në këtë debat të nxehtë kanë partitë shqiptare, pasi pretendimet e dy partive kryesore BDI dhe PDSH janë të njëjta, pavarësisht rezultatit.Më konkretisht mendohet se në pushtet do të jetë partia e Ali Ahmetit, pasi fitoi 19 mandate.Por edhe PDSH pretendon të njëjtën gjë edhe pse ka vetëm 7 deputetë. Lideri i saj Menduh Thaçi ka deklaruar edhe në optimizmin e para zgjedhjeve edhe në pesimizmin e humbjes pas tyre, se nuk do të rreshtë së negociuari me Partinë VMPRO DPMNE për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës.Përtej këtyre debateve brenda qarqeve politike, mediat vendase kanë bërë disa kalkulime mbi qeverinë e re maqedonase.E përditshmja "Dnevnik" shkruan se pas fitores së thellë të BDI dhe pas humbjes së dy partive opozitare PDSH dhe RDK, nuk ka shumë dilema për përzgjedhjen e partisë fituese pjesë të koalicionit.Një zyrtar i BDI-së ka deklaruar se nga fitorja historike e tyre dhe humbja e thellë e PDSH-së, nuk ka gjasa që partia e Thaçit të jetë pjesë e qeverisë së re, madje ka zëra se BDI nuk do të pranojë asnjë koalicion, pjesë e të cilit mund të jetë Partia Demokraitike Shqiptare. Por, nga PDSH nuk ka pasur ndonjë deklaratë se cili do të jetë pozicioni i saj. Kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, në natën e shpalljes së rezultateve të para theksoi se nuk do të njoh rezultatet e BDI-së dhe se PDSH do të vazhdojë negociatat për hyrje në Qeveri.Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të kuptuar se cila parti do të jetë pjesë e maxhorancës se re, duke përfshirë edhe një parti shqiptare, pasi VMRO-DPMNE si koalicion ka siguruar votat për të formuar e vetme qeverinë e ardhshme./nzh/oranews online/