SHBA sanksione të reja ndaj Rusisë, situata në lindje të Ukrainës mbetet e tensionuar
Moska ka shprehur sot shqetësimin për rritje të paprecedentë të aktivitetit ushtarak nga ana e SHBA-ve dhe NATO-s pranë kufirit rus, duke shkaktuar kështu sipas saj, një tjetër përshkallëzim të krizës në Ukrainë.
Ministri i mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu i kërkoi homologut të tij amerikan Chuck Hagel, gjatë një bisede telefonike, se Shtetet e Bashkuara duhet të zbusin retorikën. Por ai theksoi gjithashtu se Rusia nuk ka ndërmend të përçajë dhe as të pushtojë UKrainën. Sipas ministrit rus, aktiviteti i ushtarëve të SHBA-së dhe NATO-s, në Europën Lindore është një provokim i hapur ndaj Rusisë.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 600 trupa ushtarake në Poloni dhe në shtetet balltike në një kohë që në kufijtë lindorë të Ukrainës gjenden rreth 40 mijë trupa ushtarake ruse.
Ndërkaq aktivistët pro-rusë vijojnë ende të mbajnë nën kontroll dhjetëra godina qeveritare në disa qytete në lindje të Ukrainës ndërsa mbahen peng rreth 40 persona, mes të cilëve gazetarë, aktivistë ukrainas, 3 anëtarë të sigurimit të UKrainës dhe prej të premtes edhe 7 vëzhgues të OSBE-së.
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara vendosën sanskione të reja për Rusinë. Sanksionet përfshinë 7 zyrtarë të lartë rusë dhe 17 kompani për të cilat Washingtoni theksoi se janë të lidhura ngushtë me presidentin Vladimir Putin, apo më mirë përbëjnë rrethin e brendshëm të tij.
/nzh/oranews online/