Papa Gjon Pali II dhe Papa Gjoni XXIII janë të Shenjtë
Rome- Tetëqind mijë besimtarë morën sot pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Papa Gjon Palit II dhe Papa Gjonit XXIII, njoftoi sot Vatikani, duke iu referuar raporteve të policisë së Romës.Pesëqind mijë persona gjendeshin në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, në udhën e pajtimit dhe bashkimit.Treqind mijë të tjerë ishin shpërndarë në Romë duke ndjekur ceremoninë në 17 ekrane gjigante, bëri të ditur zëdhënësi i Selisë së Shenjtë për median.Ceremonia solemne u celebrua nga Papa Francesku dhe paraardhësi i tij Papa Benedikti XVI.122 delegacione të huaja nga e gjithë bota morën pjesë në meshën e veçantë, mes tyre personalitete mbretërore, krerë shtetesh e qeverish.Mesha nisi në orën 10 të mëngjesit në sheshin "San Pietro" në Romë, i cili tashmë është kthyer në një kamp të mbushur me pelegrinë ndërsa në gadishmëri për të ruajtur rendin e për të garantuar siguri ishin rreth 10 mijë punonjës të policisë.Kjo ceremoni është e rrallë pasi ky është rasti i pari që 2 Papë ndjekin të gjallë shenjtërimin e paraardhësve të tyre.Sipas kritikëve, kjo lëvizje shihet edhe si një përpjekje për të bashkuar kampet konservative dhe reformiste brenda Kishës Katolike Romane.Në përgjithësi procesi i shenjtërimit është i gjatë dhe i kushtueshëm. Por Papa Gjon Pali II, i cili qëndroi në krye të Vatikanit për 26 vjet deri në 2005, është i pari që u shenjtërua në një periudhë kaq të shkurtër kohore, pas vetëm 9 vjetësh. Ndërsa sa i përket atit të shenjtë të lindur në Itali, Papa Gjoni XXIII, italianët janë shprehur vërtet të lumtur për këtë shenjtërim pasi ai njihet ende sot si Papa i Mirë, pavarësisht se papati i tij zgjati për vetëm 5 vjet, 1958-1963.Sipas mediave italiane, dita e sotme dhe shenjtërimi i dy papëve, ka marrë padiskutim edhe dimensione politike pasi në këtë mënyrë Papa Francesku hedh poshtë me shumë mjeshtëri cdo kritikë se ai mund të jetë i njëanshëm. Edhe sot ai tha: "Unë jam i të gjithëve".