Kuqi: E pashë avionin të ulet, s'kam pse ta mohoj

Lushnje- E kam parë avionin dhe nuk kam pse ta mohoj. Kështu ka deklaruar, Genti Kuqi, pas marrjes në pyetje në komisariatin e Lushnjes.Pasi deklaroi publikisht në media se ka parë të ulet një avion në zonën e Divjakës, Genti Kuqi, banor i komunës së Remasit është shoqëruar sot nga efektivët e Lushnjes për të dhënë dëshminë e tij.Kuqi u qëndroi edhe njëherë të gjitha atyre çfarë kishte deklaruar në media, madje duke thënë se këtë informacion e disponojnë dhe disa bashkëfshatarë të tij, por që kanë frikë të flasin.“I dhashë një ditë para deklaratat, më ka thirrur policia, më ka njoftuar me anë të kryeplakut. Vajta dhe u paraqita po këtu në fshat, erdhën tre policë më morën, shumë me kulturë për të dhënë deklaratat që kisha dhënë më përpara. Shkuam në rajon, dhashë të gjitha deklaratat siç kishte ndodhur me avionin. Për mua policia ishte shumë korrekte, me kulturë, me të gjitha, nuk kam pasur ansjë presion. Mbaruam punë, më sollën në fshat përsëri. Ndihem dhe i frikësuar për arsye se nuk ka ndodhur ndonjëherë që të bëjë kaq bujë. Unë çdo gjë e kam bërë, se kjo është e vërtetë. Një gjë që e kam parë nuk kam pse ta mohoj, nuk e di sa vlen kjo deklaratë, nuk kam qenë ndonjëherë në politikë. Bashkëfshatarët më thonë që këto deklarata nuk pse i jep për arsye frike” u shpreh ai.40-vjeçari tha se nuk ka kërkuar mbrojtjen e policisë, duke ia lënë në dorë vetë shtetit.“Policisë nuk i kërkova mbrojtje, por me terrenin që jam këtu mund edhe të kërkoj ndihmë,pasi rajoni i policisë është 1 orë larg. Shteti e di vetë, e llogjikon më mirë”është shprehur Kuqi pas marrjes në pyetje.Ndërkohë korrespondenti ynë nga Lushnja, Julian Kasapi dha detajet lidhur me shoqërimin e Kuqit në polici:“Është thirrur për të dëshmuar Genti Kuqi, banor i fshatit Karavasta e Re, pasi kishte deklaruar në media se ka parë të ulet një avion rreth një muaj më parë në këtë zonë. Është shoqëruar në ambientet e policisë ku po pyetet lidhur me atë çfarë ai ka dijeni për ngjarjen, ku ka deklaruar se dy persona e kanë ndaluar të kalojë në këtë rrugë deri sa është ngritur avioni. Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk e ka parë vetëm ai avionin të ngrihej, por dhe banorë të tjerë. Rreth një muaj më parë kur po shkonte për të peshkuar, ka parë rrugën e bllokuar nga një automjet dhe dy persona që e kanë ndaluar dhe i kanë thënë prisni sa të mbarojmë punë. Pra nuk ka qenë vetëm Kuqi, por me disa bashkëfshatarë dhe pasi është ngritur avioni ata janë lejuar të shkojnë në drejtimet e tyre për ku ishin nisur” informoi Kasapi.Pas dhënies së dëshmisë në komisariat, Kuqi është shoqëruar në mënyrë të fshehtë për në shtëpinë e tij. Një ditë më parë 40-vjeçari, Genti Kuqi, deklaroi se rreth një muaj më parë, ndërsa po shkonte për peshkim herët në mëngjes, është ndaluar në aksin Bedat-Adriatik pasi një avion ishte ulur në mes të rrugës.Partia Demokratike denoncoi në Kuvend se kishte marrë sinjale nga banorët që avionë me drogë ngriheshin nga zona e Divjakës.