PD: Rama-Meta lojë tinzare për të shmangur llogaridhënien
Partia Demokratike dënoi deklaratën e sotme të kreut të Kuvendit lidhur me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar lidhur me dyshimet për implikimin e Forcave të Armatosura në trafikun e drogës. Përmes zëdhënëses për mediat Laura Vorpsi, selia blu e cilësoi deklaratën e Metës një tentativë të përbashkët me kryeministrin Rama për t’i ikur përgjegjësisë dhe llogaridhënies para opozitës.“Mazhoranca Rama-Meta u investua në një tjetër përpjekje për të çorientuar opinionin publik, dhe për të mbyllur çdo mundësi hetimi dhe zbardhje të së vërtetës lidhur me dyshimet për përdorimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga trafiku i drogës.Vetëm 24 orë më parë, vetë dyshja Rama-Meta hodhi idenë e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar. Ndërkohë sot duke zbatuar planin e tyre për të mos bërë transparencë, kryetari i Kuvendit citoi pretekste ligjore për të mos lejuar komisionin që vetë e propozuan.Të gjendur nën akuzën e rëndë se kanë qenë të mirinformuar mbi përdorimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga trafikantët e drogës, por e kanë mbajtur të fshehtë, tashmë Rama dhe Meta janë gati të bëjnë gjithçka për t’i ikur çdo lloj llogaridhënie, çdo lloj transparence” tha Vorpsi.Partia Demokratike “dënon qëndrimin e përsëritur të papërgjegjshëm të dyshes Rama-Meta, dhe lojën e tyre tinëzare për të shmangur llogaridhënien para opozitës dhe opinionit publik”.Në vijim të deklaratës, Vorpsi deklaroi se PD siguron qytetarët se nuk do të reshtë në përpjekjen e saj derisa kjo ngjarje të zbardhet dhe Rama dhe Meta të japin llogari se përse e kanë mbajtur të fshehtë informacionin për përdorimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga narkotrafiku.