Kompani e një korporatë, transaksione dhe çmim si kompani të pavarura
Tirane- Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot dy projektligje që lidhen me çmimin e transfertave dhe kanë të bëjnë me transaksionet e kompanive multinacionale.Konkretisht Komisioni miratoi p/ligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, si dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar”.Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete në fjalën e tij përpara anëtarëve të komisionit vuri në dukje se dy nismat e propozuara, janë rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me IFC-në (International Finance Corporation) dhe OECD. “Çmimi i transfertave rregullohej në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, por mungonte detajimi, çka e bënte të pazbatueshëm. Në kushtet kur transfertat kryhen nga korporata multinacionale ndryshimet e propozuara marrin një rëndësi të dorë së parë,” tha z. Mete.Duke iu referuar udhëzuesve të publikuar nga OECD për këtë çështje, z. Mete sqaroi se vendoset parimi i tregut mbi transaksionet e kompanive të ndryshme dhe për efekte fiskale kompani të cilat i përkasin të njëjtës korporatë do kryejnë transaksione dhe do të paguajnë çmimin përkatës si të ishin kompani të pavarura. Në p/ligj vendoset detyrimi për deklarimin e transaksioneve mbi një vlerë të caktuar, si dhe rritet dokumentimi i transaksioneve që kryhen dhe rriten mjetet dhe kapacitetet e organeve tatimore për të kontrolluar këto transaksione.Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me marrëveshjen paraprake të çmimit të transfertës mes organeve tatimore. Ky ndryshim merr rëndësi në kuadër të zbatimit të projektit TAP ku Shqipërisë do i duhet të lidhë marrëveshje me tre vende të tjera. Pas diskutimit në parim, Komisioni për Ekonominë dhe Financat imiratoi edhe nen për nen e në tërësi projektligjet në fjalë dhe u shpreh dakord për kalimin e tyre në seancë plenare. (ata)