Kosovë, Thaçi: Gjykata speciale do të miratohet
Edhe pse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e konsideron fyerje themelimin e Gjykatës për krimet e luftës, u shpreh i gatshëm ta miratoj atë. Thaçi paralajmëroi deputetët se nuk do të ketë shpërbërje të Parlamentit derisa të votohen disa ligje dhe të formohet Forca e Armatosur e Kosovës.“Është padrejtësi ndaj përpjekjeve dhe sakrificës së qytetarëve të Kosovës. Por, Kuvendi i Kosovës, duke respektuar parimet dhe standardet, për ç’ka jemi të përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, duke besuar në drejtësi dhe pafajësi të plotë, atëherë Kuvendi i Kosovës do ta votojë këtë çështje.Jemi në debate të brendshme me subjektet politike për kalimin e çështjeve jetike për Kosovën, siç është formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, votimi për Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme si dhe votimi për Gjykatën Speciale dhe pas kalimit të këtyre çështjeve, do të shohim për procese të mëtejeshme politike”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.Ideja për themelimin e Gjykatës speciale pasoi hetimet mbi raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, që pretendon përfshirjen e drejtuesve të lartë të ish-UÇK-së në krime lufte.Ndërkohë Kuvendi i Kosovës pritet të marrë vendimin më 23 prill, për vazhdimin ose jo deri më 15 qershor të 2016, të mandatit të misionit të EULEX-it.