Kriza në Ukrainë, Putin-Merkelit: Kërkohen reforma kushtetuese
Kremlini thotë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka thënë kancelares gjermane, Angela Merkel, se Ukrainës i duhen reforma kushtetuese për mbrojtjen e interesave të banorëve të rajoneve të ndryshme të këtij vendi.Në njoftimin e sotëm të presidencës së Rusisë theksohet se Putin dhe Merkel biseduan me telefon për “aspekte të ndryshme të situatës në Ukrainë, përfshirë mundësitë e ndihmës ndërkombëtare për ripërtritjen e stabilitetit”.Një zëdhënës i Merkel tha se Putini e ka njoftuar kancelaren për tërheqje të pjesërishme të trupave ruse, të cilët ishin vendosur në pjesën ruse të kufirit me Ukrainën.Poashtu, është disktuar për hapat e mëtejshëm për “stabilizimin” e situatës në Ukrainë dhe në rajonin separatist rusishtfolës Transdniestër të Moldavisë.Ndërkaq kryeministri rus Dmitry Medvedev ndodhet në Krime, zyrtari më i lartë rus që viziton rajonin pas aneksimit nga Rusia këtë muaj. Medvedev tha se ai po kryeson një delegacion të zyrtarëve rusë për një takim lidhur me atë që ai e quajti "zhvillim" të gadishullit.Kryeministri tha se Rusia do të krijojë një zonë të veçantë ekonomike në Krime, duke ofruar stimuj për biznesin me taksa më të ulëta dhe me rregullore të thjeshtuara. Zoti Medvedev bëri gjithashtu premtime për të rritur pagat dhe pensionet në Krime.Vizita e tij bëhet një ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry kërkoi që Rusia të tërheqë mijëra trupa të saj të grumbulluara përgjatë kufirit me Ukrainën lindore dhe jugore.Kerry tha se ai dhe zoti Lavrov ranë dakord se ukrainasit kanë të drejtë ta vendosin vetë të ardhmen e tyre.