Tensionohet situata në Ukrainë, një ditë para referendumit, 2 të vrarë në protesta

Këshilli i Sigurimit ka dështuar në miratimin e një rezolute që bënte thirrje për të mos njohur rezultatin e referendumit që do të mbahet ditën e dielë në rajonin e Krimesë.Votat e 13 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, nuk mjaftuan për të kaluar rezulotën, pasi Rusia vendosi veton. Kina abstenoi në votim. Për analistët ky vendim i Kinës për të mos ndjekur Rusinë dhe për të vënë veton mund të jetë tregues i një izolim të mëtejshëm të Moskës. Përpara votimit në Këshillin e Sigurimit, ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin tha se nuk ishte sekret që Moska do të votonte kundër rezolutës, për të cilën ai tha se bie në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Rezoluta e OKB-së riafirmonte tërësinë tokësore të Ukrainës dhe shpallte se referendumi i së dielës "mund të mos jetë i vlefshëm".Menjëherë pas votimit, ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, tha se veprimet e rrezikshme të Rusisë u kundërshtuan me shumicë dërrmuese. Ndërkaq, situata në Krime para votimit mbetet e tensionuar. 2 persona janë vrarë në përleshjet që janë zhvilluar mes mbështetësve pro dhe kundër Rusisë në qytetin e Karkivit, ndërsa protesta ka patur edhe në Donetsk.  Përplasja ka mbërritur edhe në Rusi ku dhjetëra mijëra protestues u mblodhën në qendër të Moskës për mitingje rivale lidhur me Krimenë. Mbështetësit e referendumit valëvisnin flamuj rusë dhe të Bashkimit Sovjetik ndërsa marshonin në Sheshin e Revolucionit të Moskës.  Nga ana e tyre, kundërshtarët e referendumit brohorisnin dhe mbanin flamuj të Ukrainës dhe të Rusisë. Disa prej tyre shprehnin shqetësim se ndërhyrja ruse në Krime mund të çojë në luftë.Referendumi i së dielës u jep banorëve të Krimesë vetëm dy zgjedhje: bashkimin me Rusinë ose forcimin e ndjeshëm të autonomisë së tyre brenda Ukrainës.  Një votim në favor të bashkimit me Rusinë shihet gjerësisht si rezultat i sigurtë i referendumit në këtë rajon me shumicë rusishtfolëse të Detit të Zi.