Ende nuk janë gjetur mbetje të avionit malejzian

Ekipet vjetnameze të shpëtimit thonë se kanë kërkuar gjithë natën dhe nuk kanë gjetur mbetje të avionit që u panë të dielën në mbrëmje. Kërkimet vazhdojnë për avionin malejzian të pasagjerëve që u zhduk me 239 vetë në bord.Zyrtarët vjetnamezë thonë se operacionet përfshijnë avionë që fluturojnë në lartësi të ulëta, të cilët mbrëmë panë një objekt mbi ujë që u mendua se ishte dera e avionit të zhdukur. Por zyrtarët thanë se gjashtë avionë dhe shtatë anije të përfshira në operacion nuk kishin zbuluar asgjë.Dje më herët, zyrtarët që po hetonin zhdukjen e avionit të shoqërisë ajrore Malaysia Airlines thanë se të dhënat e radarëve tregonin se avioni mund të jetë kthyer prapa papritur dhe në mënyrë të pashpjegueshme.Shefi i forcave ajrore malejziane nuk dha hollësi mbi drejtimin që mund të ketë marrë avioni i tipit Boeing 777 që ishte nisur nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit, apo çfarë distance përshkoi pasi ndryshoi kursin e fluturimit.Po dje, policia tajlandeze tha se po heton edhe një rrjet kontrabande me pasaporta të vjedhura, pasi u zbulua se dy pasagjerë po udhëtonin me pasaporta të vjedhura nga dy shtetas evropianë.