Obama-Kerry paralajmërojnë Putin: Rusia do izolohet nëse cënohet integriteti i Ukrainës
Presidenti Barak Obama tha sot në Uashington se Rusia po përpiqet që me anë të forcës të ndikojë mbi vendet fqinje dhe jo se është e interesuar për qytetarët rusë në Krime.Presidenti Obama tha se SHBA janë mëse të gatshme të punojnë me komunitetin ndërkombëtar dhe me Rusinë për zgjidhjen e problemeve që lidhen me Ukrainën. Ai tha se do të flasë sot me udhëheqës të vendeve të tjera partnere rreth kësaj çështjeje.Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry përcolli të njëjtin mesazh, por me tone më të forta në Kiev të Ukrainës, duke i bërë thirrje Rusisë të tërheqë trupat nëpër kazerma dhe t'i japë fund shkallëzimit të situatës në Krime.Kerry ritheksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës. Ai tha se Shtetet e Bashkuara e dënojnë aktin e agresionit të qeverisë ruse dhe qëndrojnë përkrah popullit të Ukrainës.Duke folur në Ambasadën amerikane në Kiev, zoti Kerry tha se Rusia ka zgjedhur rrugën e frikësimit, të mashtrimit dhe të provokimit duke fshehur dorën. Ai hodhi poshtë deklaratat e Rusisë se parlamenti i Ukranës është jo legjitim. Zoti Kerry tha se parlamenti është institucioni më përfaqësues sot në Ukrainë.Duke iu referuar Presidentit të rrëzuar, Viktor Jnukoviç, sekretari amerikan i shtetit tha se ai e braktisi vendin dhe popullin e tij. Zoti Kerry mohoi pohimet ruse se Kievi po destabilizon gjendjen në gadishullin ukrainas të Krimesë.Ai tha se ushtarët e Ukrainës në Krime nuk kanë provokuar dhe nuk kanë shkrehur një armë. Zoti Kerry i bëri thirrje Rusisë që të përdorë diplomacinë dhe jo forcën për zgjidhjen e problemeve. Ai tha se sot ka shumë institucione për zgjidhjen e çështjeve të tilla.Nëse Rusia nuk është e gatshme ta bëjë këtë, paralajmëroi Sekretari i Shtetit, "ne nuk kemi alternativë tjetër por ta izolojmë Rusinë politikisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht."