BE thirrje Moskës të tërhiqet nga Krimeja: Të gjendet zgjidhje në paqe
Ministrat e jashtëm evropianë zhvilluan sot në Bruksel një mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur nga shefja e politikës së jashtme të BE-së Catherine Ashton për të hartuar një përgjigje të përbashkët, që përfshin sanksione ekonomike, ndaj Rusisë në përgjigje të inkursionit ushtarak në gadishullin ukrainas të Krimesë.Ashton bëri thirrje në emër të BE që forcat ruse të kthehen në bazën e tyre pranë Krimeas dhe të mos ndërmarrin asnjë sulm. Sipas saj, BE shpreson për një zgjidhje paqësore mes palëve, Rusi-Ukrainë, ndërsa inkurajoi këtë të fundit për masat që ka marrë në mbrojtje të territorit dhe minoriteteve.“BE do të vendosë për marrëdhëniet mes BE dhe Rusisë, do të ketë sanksione dhe ne do të marrim masa për këtë situatë. Përgëzojmë masat marra nga Kiev dhe qeveria atje dhe përshëndesim veprimet në të gjitha nivelet të qeverisë dhe për mbrojtjen e minoritetit atje. Mirëpresim paketën e ndihmës së FMN për Ukrainën. Të dërgojmë një mision fakt-kërkues në Kiev dhe kërkojmë angazhimin tonë fakt kërkues njerëz me njerëz në Kiev. Ambicia është të zgjidhim këtë situatë, ta ndreqim atë përndryshe do e diskutojmë në Këshillin e Jashtëm”.Ashton pohon se do të takohet me zyrtarë rusë për të gjetur një zgjidhje. “Do takohem me zyrtarë rusë, kam kontakte me zyrtarë rusë në Bruksel, nesër do takoj ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe BE do të bëjë përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Presim që kjo situatë të zgjidhet në mënyrë paqësore”.Ushtria e Ukrainës pohoi sot se trupat pro-ruse kanë rrethuar ose kanë marrë nën kontroll "praktikisht të gjitha" objektet e saj ushtarake në Krime.Sot ka patur njoftime kundërthënëse në shtypin rus dhe atë ukrainas, rreth një ultimatumi të dërguar nga Rusia për forcat ukrainase që ato të dorëzojnë bazat në Krime ose përndryshe do të përballen me ndërhyrje të armatosur.Ndërkohë Ministri i jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov, mori në mbrojtje praninë në rritje të trupave të vendit të tij në gadishullin e Krimesë. Zoti Lavrov i bëri komentet në prag të një takimi në Gjenevë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-mun, i cili shpreson të parandalojë një shkallëzim të mëtejshëm në rajon.Zoti Lavrov tha se përdorimi i trupave ruse në Krime është i nevojshëm "deri në normalizimin e gjendjes politike " në Krime. Ai i bëri komentet në hapje të sesionit të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë dhe tha se trupat e vendit të tij janë duke mbrojtur shtetasit rusë.Ukraina ka akuzuar Rusinë se ka ndërmarrë një pushtim ushtarak dhe i kërkoi Moskës të tërheqë forcat, të cilat kanë rrethuar bazat ushtarake ukrainase në të gjithë Krimenë dhe kanë ngritur postblloqe.Mediat në Rusi njoftojnë se aeroplanë luftarakë rusë fluturuan në hapësirën ajrore të Ukrainës mbi Detin e Zi gjatë natës duke u gdhirë e hëna.Ministria e jashtme e Rusisë tha gjithashtu se lidhur me situatën në Ukrainë Rusia dhe Kina kanë pikëpamje që përkojnë, ndërsa udhëheqësit e grupit G7 kanë dënuar atë që ata e quajnë "shkelje e qartë" nga Rusia e sovranitetit të Ukrainës.Udhëheqësit e G7-s publikuan një deklaratë të përbashkët ku i bëjnë thirrje Rusisë që të zgjidhë çdo shqetësim që ka me Ukrainën qoftë përmes negociatave të drejtpërdrejta apo me ndërmjetësimin e udhëhequr nga OKB-ja ose nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. G7-a përfshin Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Japoninë.Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do të shkojë në Ukrainë nesër. Dje ai kritikoi ashpër ndërhyrjen ruse në Krime gjatë intervistave në televizionin amerikan. Këto veprime, tha zoti Kerry, do ta izolojnë më tej Rusinë.Sekretari i Jashtëm britanik William Hague ishte sot në Ukrainë për t'u takuar me udhëheqësit e vendit dhe bëri një vizitë në Sheshin Pavarësia të Kievit.Zoti Hague tha se Rusia duhet të respektojë sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës."Çështja nuk mund të zgjidhet nëse Rusia nuk bindet për të respektuar sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës. Do të duhet të ketë pasoja të tjera dhe kosto të tjera, por unë nuk do të komentoj sot se cilat mund të jenë këto pasoja. Ne do të veprojmë të bashkuar me vendet e tjera," tha sekretari Hague.Zoti Hague fajësoi Rusinë për krijimin e një gjendjeje "shumë të tensionuar" dhe "të rrezikshme".Qeveria e përkohshme e Ukrainës ka urdhëruar një mobilizim të plotë ushtarak në përpjekje për t'i bërë ballë atij që kryeministri Arseniy Yatsenyuk e ka quajtur një akt lufte nga ana e Rusisë.Ndërkohë, Kryeministri rus Dimitri Medvedev, tha se presidenti i rrëzuar Viktor Janukoviç është ende udhëheqës legjitim i Ukrainës dhe se ishte hequr në mënyrë të paligjshme nga pushteti.