Erdogan: Incizimet janë të fabrikuara
Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se bisedat e regjistruara ku ai ka qenë duke folur me të birin lidhur me disa fonde të fshehura, ishin të fabrikuara. Megjithatë, udhëheqës të opozitës e shpërfillën mohimin e Erdogan dhe kërkuan dorëheqjen e tij.Erdogan dënoi me zemërim një regjistrim, ku thuhet se ai po bisedonte me të birin e tij Bilalin, për shuma të mëdha parash të fshehura.“Kanë bërë publik një incizim që e kanë redaktuar dhe dubluar. Ky është një sulm i shëmtuar kundër kryeministrit të Turqisë”, tha Erdogan.Pas bërjes publike të regjistrimit të hënën në mbrëmje, Erdogan mbajti një takim urgjent me shefin e tij të zbulimit Hakan Fidan dhe ministrat me të rëndësishëm të kabinetit. Zyra e kryeministrit nxorri një deklaratë ku thuhej se kjo ishte pjesë e një fushate për ta rrëzuar atë nga pushteti.Bisedat thuhet se janë bërë dhjetorin e kaluar, një ditë pasi policia ndaloi dhjetra vetë, përfshirë djemtë e tre ministrave, si pjesë e një hetimi për korrupsion në nivelet më të larta.Devlet Bahceli, udhëheqës i Partisë Kombëtare të Veprimit, një forcë e së djathtës ekstreme e cilësoi regjistrimin si tronditës dhe u kërkoi prokurorëve të hetojnë.Kemal Kilicdaroglu, udhëheqës i Partisë Republikane të Popullit, forca kryesore e opozitës, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, ose largimin e tij nga vendi me helikopter, duke thënë se ai kishte humbur gjithë legjitimitetin.Kryeministri pretendon se incizimet dhe hetimi për korrupsion, janë pjesë e një konspiracioni kundër qeverisë së tij, nga simpatizantët e klerikut mysliman Fetullah Gulen.Para disa ditësh, qeveria tha se prokurorë që po vepronin me mendjen e tyre, kishin monitoruar telefonatat e 7 mijë vetëve, përfshirë ministra, gazetarë dhe akademikë.Analistët thonë se hetimi i korrupsionit është një sfidë e madhe për zotin Erdogan që ka qenë në pushtet për 11 vjet. Ata thonë gjithashtu se para zgjedhjeve lokale, ka gjasa që të bëhen publike edhe regjistrime të tjera që do t’i atribuohen kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë.