Incindenti diplomatik Itali-Indi, Roma tërheq ambasadorin, njofton BE dhe OKB

Incidenti diplomatik mes Italisë dhe Indisë në lidhje me marinsat italianë, duket se po merr përmasa të reja. Mediat italiane njoftuan se italia ka thirrur ambasadorin e saj në Indi, Daniele Mancini, për konsultime mbi çështjen, por aludohet se kjo lëvizje është tërheqje e ambasadorit."Qeveria italiane ka urdhëruar thirrjen e menjëhershme të ambasadorit të saj në Indi, për konsultime. Ka qenë kjo deklarata e Ministres së Jashtme italiane, Emma Bonino, menjëherë pas vendimit të gjykatës supreme indiane për shtyrjen e datës së seancës dëgjimore për dy marinsat italianë, Massimiliano Latorre  dhe Salvatore Girone, nën akuza për vrasje.Bonino në deklaratën e saj thekson se kthimi i dy marinsave italianë në vendin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur është prioritet i qeverisë italiane, ndërsa ministri Italian i mbrojtjes, Mario Mauro, u shpreh se tërheqja në Itali e ambasadorit Mancini, jo vetëm që është e justifikueshme por shpreh qartë qëndrimin e popullit Italian për çështjen në fjalë."Ne po përballemi me një sjellje të çuditshme dhe të papranueshme të autoriteteve indiane", ka thënë ai. Dy marinsat Italianë Masimiliano Latorre  dhe Salvatore Girone, akuzohen nga autoritetet indiane për vrasjen e dy peshkatarëve indianë në shkurt të vitit 2012. Italia kundërshton këto akuza duke pretenduar se marinsat italianë janë trajtuar si piratë ndërkohë që ata vetëm sa kanë zbatuar ligjet përkatëse. Çështja është bërë e njohur nga Italia edhe në Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara. Ndërsa autoritetet indiane akoma nuk kanë reaguar mbi lëvizjen e Italisë.