Sulmi vdekjeprurës në Los Anxheles, vihet nën kontroll situata në aeroport

Një person i armatosur ka lënë një të vrarë dhe disa të plagosur në aeroportin e Los Anxhelosit, para se të arrestohej nga policia.Zyrtarët thonë se 23-vjeçar nga Los Anxhelosi Paul Ciancia ishte autori i sulmit. Policia tha se ai kishte me vete një copë letër me fjalët 'vrit agjentë të sigurisë në aeroport' por nuk u dhanë hollësi për motive e sulmit.23-vjeçar nxori një armë gjysmë-automatike nga çanta dhe hapi zjarr pasi kapërceu kordonin e sigurisë në Terminalin 3 të aeroportit. I dyshuari më pas filloi të qëllonte në të gjitha anët në terminal para se të qëllohej nga policia dhe të arrestohej.Sipas një mjeku ligjor në Los Anxhelos një person mbeti i vrarë. Një zyrtar i ekipeve të ndihmës së shpejtë tha se shtatë vetë ishin plagosur, gjashtë prej të cilëve po mjekohen në spitale lokale.Shefi i policisë për Aeroportin e Los Anxhelosit Patrick Gannon thotë se autoritetet besojnë se autori i sulmit nuk kishte bashkëpunëtorë:"Në këto momente besojmë se autori i sulmit nuk kishte bashkëpunëtorë dhe se ishte i vetmi person i armatosur në këtë incident”.Media amerikane njofton se personi i vrarë në incident ishte agjent i sigurisë së aeroportit, por autoritetet nuk e kanë konfirmuar lajmin.Kryetari i Bashkisë së Los Anxhelosit Eric Garcetti thotë se zyrtarët e kanë situatën nën kontroll."Ne besojmë se situata tani është stabilizuar për udhëtarët në aeroport. Kemi besim se do të jemi në gjendje të realizojmë një proces të plotë hetimor për të zbuluar të gjitha faktet”.Disa nga avionët e planifikuar për udhëtim janë nisur nga Los Anxhelosi, por Terminali 3 mbetet i mbyllur ndërkohë që policia vazhdon të mbledhë informacion.