Digjet shtëpia ku ka lindur Mata Hari

Shtëpia në Holandë, ku ka lindur vallëzuesja ekzotike dhe spiunia e Luftës së Parë Botërore, Mata Hari, është shkatërruar nga flakët.Një person ka vdekur nga zjarri që ka përfshirë disa ndërtesa në Leuvarden, rreth 140 kilometra në veri të Amsterdamit.Emri i vërtetë i Mata Harit ka qenë Margaretha Geertruida Zelle.Ajo ka lindur më 1876, ndërsa më 1917 është ekzekutuar me pushkatim.Në fillim të viteve 1900, Mata Hari ka lënë burrin e saj dhe ka udhëtuar drejt Parisit, ku ka arritur famën si kërcimtare ekzotike.Puna e saj e ka çuar në kontakte me figura të larta të shoqërisë.Por, autoritetet franceze e kanë arrestuar atë gjatë Luftës së Parë Botërore, duke e akuzuar për spiunim për Gjermaninë.Ajo është ekzekutuar pas një gjykimi të shkurtër, edhe pse faji i saj ka qenë për kohë të gjatë i kontestueshëm.