Arabia Saudite refuzon Këshillin e Sigurimit: OKB duhet të reformohet

Arabia Saudite refuzoi një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, pasi akuzoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara për aplikimin e dy standarteve.Ministri i Jashtëm saudit deklaroi se përpara se vendi të pranojë ftesën, OKB duhet të reformohet.Një reagim i tillë vjen pasi Riadi zyrtar disa herë ka akuzuar KS-në për mospërmbushjen e detyrave të tij, në rolin që duhet të luajë për të zgjidhur krizën siriane.Sauditët, së bashku me Turqinë janë dy vendet e rajonit që mbështesin më shumë lëvizjen kryengritëse kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.Këshilli i Sigurimit përbëhet nga pesë anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje, SHBA, Kinë, Rusi, Francë e Britani si dhe nga dhjetë anëtarë të përkohshëm me një mandat 2-vjeçar."Mekanizimi i punës dhe standarti i dyfishtë i përdorur nga Këshilli i SIgurimit në përmbushjen e detyrave të tij e marrjen përsipër të përgjegjësive që duhet të ketë në ruajtjen e paqes botërore e pengojnë Arabinë Saudite që të bëhet pjesë e kësaj instance të OKB-së", deklaroi ministri i Jashtëm saudit në një deklaratë për shtyp.Riadi gjithashtu përsëriti protestën e tij për "lejimin e qeverisë siriane që të vrasë qytetarët e saj me armë kimike, pa iu imponuar asnjë sanksion" dhe për "apatinë e treguar në zgjidhjen e çështjes palestineze, e cila prej 65 vitesh vazhdon të pengojë arritjen e paqes në Lindjen e Mesme".