Siri, opozita nën presion për “Gjenevën”
Presioni sa vjen e rritet ndaj opozitës së përçarë siriane, për të qenë e pranishme në konferencën e paqes në Gjenevë muajin e ardhshëm, pavarësisht se ka shumë pak gjasa që ajo të ketë sukses në gjetjen e një rrugëdaljeje nga konflikti i përgjakshëm i vendit.Qadri Jamil, zëvendës kryeministri i Sirisë, tha të enjten se eventi është parashikuar për më 23-24 nëntor. Diplomatët perëndimorë konfirmuan se këto data janë duke u marrë në konsideratë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, i cili do të kryesojë konferencën. Lakhdar Brahimi, i dërguari special në Siri nga OKB dhe Liga Arabe, kishte thënë më herët se nuk ishte e sigurt nëse bisedimet do të zhvilloheshin në këto dy data të mesit të nëntorit.Diplomatët thonë se formati do të jetë i ngjashëm me konferencën e paqes së 1991, mes Izraelit dhe Arabisë në Madrid, me një nisje madhështore ceremoniale e më pas me bisedime të detajuara. Kritikët parashikojnë se edhe një proces i tillë nuk do të rezultojë i paefektshëm dhe tejet i ngadaltë.Përpjekjet për të mbajtur konferencën janë intensifikuar, që prej marrëveshjes së muajit të kaluar SHBA-Rusi për të çarmatosur Sirinë nga armët kimike, gjë që shmangu kërcënimin e një ndëshkimi me sulme ajrore nga SHBA-të dhe përforcoi pozicionin negociator të Assad.