Obama përshëndet marrëveshjen: Larguan hijen e pasigurisë mbi ekonominë amerikane
Presidenti Barak Obama tha se në betejën e fundit politike për buxhetin, nuk pati fitues.Ai i bëri komentet sot në Shtëpinë e Bardhë pas nënshkrimit mbrëmë të ligjit për rihapjen e qeverisë dhe rritjes së tavanit të huamarrjes.Presidenti Obama tha se mbyllja e qeverisë i shkaktoi dëme të panevojshme ekonomisë amerikane dhe dëmtoi besueshmërinë e Amerikës në botë. Ai tha se megjithëse këto dy kërcënimet ndaj ekonomisë janë hequr, mbyllja e qeverisë, e cila zgjati 16 ditë, e ngadalësoi rritjen ekonomike të vendit.Presidenti tha se amerikanët janë të ngopur me mënyrën se si funksionon politika në Uashington dhe se kjo duhet të ndryshojë. Ai shtoi se tani që mbyllja e pjesshme e qeverisë ka marrë fund, udhëheqësit në Uashington duhet të përqëndrohen te buxheti, reforma e sistemit të imigracionit dhe çështje të tjera të rëndësishme për vendin.Marrëveshja bipartizane ishte rezultat i bashkepunimit te liderit te shumicës demokrate në Senat Harry Reid dhe kreut te pakices republikane, Mitch McConnell, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve, paaftësia e kryetarit republikan John Boehner për të vënë nën kontroll fraksionin rebel "Tea Party" e vuri disi në pikëpyetje rolin e tij udhëheqës.Pavarësisht paktit, Boehner deklaroi se republikanët nuk do të heqin dorë nga beteja për shfuqizimin e ligjit të kujdesit shëndetësor.