Humbje rekord për “Blackberry”

Një prej gjigantëve botërorë të prodhimit të “smartphone”, “Blackberry” pësoi një rënie rekord prej 20% të vlerës së aksioneve gjatë të premtes.Reagimi i investitorëve erdhi pasi kompania postoi një bilanc tepër negativ dhe informoi për shkurtimin e 4 500 vendeve të punës ose rreth 40% e punonjësve të saj në total.Bilanci i tremujorit të dytë të 2013-s do të publikohet zyrtarisht nga kompania gjatë javës së ardhshme, por ndërkohë janë paralajmëruar humbje prej rreth një miliardë dollarë.Një prej kompanive lider të tregut të “smartphone”, “Blackberry” ka përjetuar në vitet e fundit një krizë gjithmonë e më të thellë financiare, për shkak të pamundësisë për t’u përshtatur në kohë me tregun dhe me konkurrencën e fortë të gjigantëve si “Apple” apo “Samsung”.Në muajin gusht, kompania pranoi për herë të parë publikisht se është duke studiuar mundësinë e shitjes së saj.