Situata e tensionuar në Egjipt, OKB e alarmuar, BE do rishikojë raportet

Qeveria egjiptiane  do të diskutojë  krizën që ka mbërthyer vendin  ku me qindra  njerëz kanë mbetur të vrarë në përleshjet masive të mbështetësve të presidentit të rrëzuar muhamed  Morsi me forcat e  ushtrisë.  Ministri i brendshëm ka parashtruar një propozim për nxjerrjen jashtë ligji dhe shpërbërjen e Vëllazërisë Muslimane, me arsyetimin se kjo forcë politike ka inkurajuar protestat që kanë destabilizuar dhe përgjakur vendin.Nëse një vendim i tillë do të miratohet, sipas ekspertëve Egjipti mund të përballet me një valë të shtuar dhune në ditët në vijim.Ndërkohë, qeveria e përkohshme egjiptiane vazhdon të reagojë me ashpërsi ndaj protestave. Forcat e sigurisë së Egjiptit kanë larguar dhe mbështetësit e fundit të presidentit të përmbysu, Muhammad Morsi, nga një xhami në kryeqytetin Kajro.Më se 750 njerëz janë vrarë prej ditës së Mërkurë, kur në gjithë Egjiptin shpërthyen protesta dhe përleshje, pasi forcat e sigurisë i shkatërruan dy kampe të protestuesve në Kajro.Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e trazirave në Egjipt. Në deklaratën e publikuar nga zëdhënësi i tij, Ban Ki-moon, ka kërkuar përfundimin e protestave të dhunshme dhe ka vlerësuar se është  përdorur  forcë e tepruar kundër tyre.Dhe Bashkimi Evropian do të rishikojë ditët e ardhshme marrëdhëniet e tij me Egjiptin. Në një deklaratë, Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, u bënë thirrje të gjitha palëve në Egjipt të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës. Për këtë qëllim së bashku me shtete e saj anëtare do të shqyrtojë marrëdhëniet e saj me Egjiptin dhe do të miratojë “masa që synojnë” arritjen e këtyr qëllimeve, theksohet në deklaratë.