PAMJET NGA VENDNGJARJA/ Tragjedia në Shëngjin, ndërrojnë jetë 2 të rinj nga Kosova, dy të tjerë në gjendje të rëndë
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në bregdetin e Shëngjinit, ku katër të rinj nga Kosova, të cilët kishin hyrë për t’u larë në det, janë përballur me dallgët e forta dhe rrymat detare.
Sipas informacioneve paraprake, të rinjtë dyshohet se janë marrë nga rrymat e fuqishme, duke bërë që situata të dalë jashtë kontrollit. Si pasojë e ngjarjes së rëndë, dy prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerët janë transportuar për ndihmë mjekësore dhe raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, forcat e kërkim-shpëtimit dhe policia, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me identitetin e viktimave dhe gjendjen e saktë shëndetësore të personave të plagosur.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë detaje në orët në vijim.
Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.
Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

