VIDEO/ Tensione në Sarandë! Protesta e operatorëve turistikë ndërpret mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Mbledhja e Këshillit Bashkiak Sarandë është ndërprerë sot pas tensioneve të krijuara nga protesta e pronarëve të mjeteve ujore që operojnë në Ksamil.

Në rendin e ditës së mbledhjes ishte edhe shqyrtimi dhe miratimi i hartave të vendbazimeve të mjeteve ujore në territorin e Bashkisë Sarandë. Sipas propozimit të paraqitur nga bashkia, kërkohej miratimi i katër vendbazimeve, të cilat, sipas përfaqësuesve të institucionit, ishin përcaktuar pas një dëgjese publike të zhvilluar më herët.

Megjithatë, pronarët e mjeteve ujore kundërshtuan këtë propozim, duke argumentuar se vendbazimet e propozuara nuk janë funksionale për aktivitetin e tyre. Sipas tyre, ato ndodhen larg zonave turistike të Ksamilit dhe pozicionimi i tyre paraqet vështirësi për shkak të dallgëve që krijohen në det.

Gjatë diskutimeve, një pjesë e këshilltarëve bashkiakë propozuan që numri i vendbazimeve të rritej nga katër në gjashtë. Ky propozim nuk hasi kundërshtime as nga përfaqësuesit e Policisë Kufitare.

Për shkak të debatit të krijuar, këshilltarët e majtë kërkuan një pushim të përkohshëm për t’u konsultuar lidhur me çështjen. Pikërisht gjatë kësaj kohe u rritën tensionet mes protestuesve dhe përfaqësuesve të bashkisë.

Pronarët e mjeteve ujore tentuan të hynin me forcë në ambientet ku po zhvillohej mbledhja, duke kërkuar një takim me kryetarin e bashkisë. Ata u shprehën të revoltuar, duke deklaruar se “i kemi dhënë votën” dhe kërkuan që shqetësimet e tyre të dëgjoheshin drejtpërdrejt nga drejtuesi i institucionit.

Pas përshkallëzimit të situatës dhe tensioneve të krijuara, u vendos ndërprerja e mbledhjes së Këshillit Bashkiak Sarandë dhe shtyrja e saj për një datë tjetër, kur pritet të rikthehet në diskutim edhe çështja e vendbazimeve të mjeteve ujore. /Saranda Web/