Ritualet e Haxhit dhe vapa 43 gradë në Mekë/ Serenaj: Si po i përballojnë temperaturat ekstreme besimtarët shqiptarë
Festa e Kurban Bajramit ka arritur kulminacionin e saj në qytetin e shenjtë, ku miliona besimtarë nga e gjithë bota, përfshirë edhe ata nga Shqipëria, po kryejnë ritualet e Haxhit. Qyteti gumëzhin nga lutjet dhe falënderimet e njerëzve, duke krijuar një atmosferë të papërshkrueshme, por njëkohësisht duke sjellë sfida të mëdha fizike për të pranishmit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për "Ora News", ishte Shpëtim Seranaj nga Komuniteti Mysliman i Shqiperisë, i cili u shpreh se haxhinjtë shqiptarë kanë përfunduar disa nga ritet më të rëndësishme dhe më sfiduese. Pasi qëndruan në qytetin e çadrave në Mina dhe kaluan ditën më të shënuar në Arafat, ata përjetuan momente qetësie të thellë gjatë mbrëmjes së Bajramit në Muzdelife. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, besimtarët janë nisur për të kryer ritualin simbolik të gjuajtjes së shejtanit, përpara se të akomodoheshin në hotelet e tyre.
Pavarësisht kënaqësisë shpirtërore, lodhja fizike raportohet të jetë e jashtëzakonshme pas dy ditësh intensive të mbushura me sakrifica. Një nga rreziqet më të mëdha mbetet moti, me temperatura që arrijnë në 42-43 gradë Celsius. Për të shmangur nxehtësinë përvëluese të rajonit dhe për të parandaluar problemet e mundshme shëndetësore, strategjia e organizatorëve ka qenë kryerja e veprimeve dhe ritualeve herët në mëngjes. Kjo masë paraprake ka rezultuar e suksesshme, pasi asnjë incident nuk është shënuar dhe të gjithë besimtarët shqiptarë kanë mbërritur shëndoshë e mirë në ambientet e tyre akomoduese.
"Festa këtu në Mekë kulmoi me ditën e Bajramit, ku haxhinjtë në fakt kryejnë disa veprime të rëndësishme. Pasi qëndruan në qytetin e çadrave në Mina, pastaj shkuan në Arafat në ditën më të shënuar për mbarë besimtarët, qëndruan në një qetësi të papërshkruar në mbrëmjen e Bajramit në Muzdelife, dhe sot në mëngjes herët janë nisur drejt Mekës, drejt Mekës, duke gjuajtur shejtanin në formë simbolike dhe sapo janë sistemuar në hotel.
Jemi tepër të lodhur me thënë të drejtën, jemi dy ditë duke bërë të gjitha këto ritualet e haxhit dhe me një sakrificë të paparë, me një vrull, me një kënaqësi nga të gjithë haxhinjtë e Shqipërisë. Dhe ku mban qyteti i Mekës nga populli, njerëz që domethënë nga të gjitha anët e botës... të gjithë i falënderojmë, të gjithë falënderojnë, i gjithë qyteti gumëzhin nga kjo fjalë e madhe.
Këtë vit, falë Zotit, temperatura ka qenë diku te 42, 43. Në fakt ne kemi bërë veprimet herët në mëngjes, siç ju thashë, për t'iu shmangur vapës dhe nxehtësisë së madhe të Arabisë Saudite, për të qenë haxhinjtë më komodë dhe mos pra ekspozohen ndaj të nxehtit, duke sjellë kështu dhe probleme shëndetësore. Të gjithë haxhinjtë kanë ardhur të gjithë në hotel dhe janë shëndoshë e mirë", u shpreh Seranaj.
Ndiqni intervistën e plotë:
