Tragjedia e zhytësve italianë detyron Maldivet të shtrëngojnë rregullat për zhytjet teknike nënujore

Maldivet po përgatiten të shtrëngojnë rregullat për zhytjet teknike nënujore, pas një tragjedie ku humbën jetën pesë zhytës italianë në një zonë të thellë mbi 60 metra.

Sipas autoriteteve, ndryshimet e reja synojnë të rrisin sigurinë në aktivitetet e njohura si “tech-wreck diving”, që përfshijnë eksplorimin e rrënojave të anijeve, shpellave dhe hapësirave të mbyllura nënujore.

Plani parashikon që këto zhytje të lejohen vetëm me autorizim të posaçëm dhe për persona me kualifikime të avancuara. Po ashtu, pritet të vendosen rregulla më të rrepta për eksperiencën minimale, pajisjet dhe protokollet e sigurisë.

Autoritetet thonë se masa vjen pas mangësive të konstatuara në ekspeditën ku humbën jetën zhytësit italianë, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

“Tech-wreck diving” është një formë zhytjeje që shkon përtej kufijve të zakonshëm rekreativë dhe përfshin rreziqe të larta për shkak të thellësisë dhe ambienteve të mbyllura. Për këtë arsye, përdoren pajisje të specializuara dhe përzierje të ndryshme gazrash për të mundësuar frymëmarrjen në kushte ekstreme.

Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi pasi të finalizohet drafti ligjor nga qeveria në Maldive.