MARRËVESHJE HISTORIKE NË HORIZONT/ SHBA-të dhe Irani po afrohen drejt një dakordësie diplomatike
SHBA dhe Irani duket se janë pranë një marrëveshjeje që mund të ulë tensionet në Lindjen e Mesme dhe të rihapë ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, negociatat po shoqërohen me kritika teksa luftimet në Liban nuk janë ndalur pavarësisht një armëpushimi në fuqi.
Pas muajsh tensioni dhe përplasjesh ushtarake në Lindjen e Mesme, sinjalet për një marrëveshje të mundshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shtohen.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi këtë të hënë se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mund të arrihet shprejt ndërsa tregjet ndërkombëtare reaguan menjëherë me rënie të çmimeve të naftës dhe rritje të bursave aziatike.
Sipas raportimeve, optimizmi është lidhur me mundësinë e rihapjes së ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
Rubio, gjatë një vizite zyrtare në Indi, deklaroi gjithashtu se ekziston një plan shumë solid për hapjen e ngushticës dhe se propozimi ka mbështetje të konsiderueshme nga vendet e Gjirit Persik.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump u shfaq më i kujdesshëm. Ai tha se negociatorëve amerikanë u ka kërkuar të mos nxitojnë, duke shtuar se bisedimet me Iranin po zhvillohen në mënyrë konstruktive dhe të rregullt.
Trump paralajmëroi më herët gjithashtu se bllokada amerikane ndaj anijeve iraniane në Hormuz do të vazhdojë derisa çdo marrëveshje të nënshkruhet dhe certifikohet plotësisht.
Ndërkohë marrëveshja po shoqërohet me kritika. Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, deklaroi se drafti aktual nuk ndryshon shumë nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e negociuar nga ish-presidenti Barack Obama, nga e cila Trump u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë.
Në Iran, negociatori kryesor në bisedimet me SHBA-në, Mohammad Bagher Qalibaf, u rizgjodh kryetar i parlamentit iranian. Zyrtarët iranianë vazhdojnë të përdorin retorikë të ashpër ndaj Uashingtonit.
Zëdhënësi i parlamentit atje deklaroi se gjatë luftës strategjia e Iranit ishte “sy për sy”, ndërsa në diplomaci do të zbatohet “veprim për veprim”.