EMMA RADUCANU NË KRIZË/ Tenistja britanike eliminohet herët në Roland Garros Tenistja synon rikuperimin total për Wimbledonin

Ema Radukanu është eliminuar në raundin e parë të French Open pas humbjes ndaj argjentinases Solana Sierra. Tenistja britanike, e rikthyer pas një periudhe të gjatë mungese për shkak të problemeve shëndetësore, pranoi se turneu në Paris ishte një sfidë shumë e vështirë.

Emma Raducanu po kalon një tjetër moment të vështirë në karrierën e saj, pasi u eliminua në raundin e parë të Roland Garros me humbje të thellë ndaj Solana Sierra.

Tenistja britanike u mposht në dy sete, në një ndeshje ku mungesa e ritmit dhe problemeve fizike u dukën qartë. Raducanu kishte zhvilluar vetëm një takim zyrtar gjatë më shumë se dy muajve të fundit, pas një infeksioni viral që ka ndikuar ndjeshëm sezonin e saj.

Seti i parë rezultoi veçanërisht i vështirë për 23-vjeçaren, e cila prodhoi një nga paraqitjet më të dobëta të karrierës së saj në Grand Slam. Temperaturat e larta në Paris dhe mungesa e ndeshjeve ndikuan në performancën e saj, ndërsa gjatë ndeshjes u pa edhe duke kollitur mes pikëve.

Nga ana tjetër, Solana Sierra u shfaq më e qetë dhe më e përgatitur fizikisht. Tenistja argjentinase dominoi lojën nga vija fundore dhe shfrytëzoi gabimet e shumta të Raducanu, duke kontrolluar ritmin e ndeshjes.

Megjithatë, britanikja reagoi në setin e dytë dhe arriti ta çonte atë deri në “tie-break”, duke treguar karakter dhe luftë sportive në momentet më të vështira.

Pas ndeshjes, Raducanu deklaroi se kishte zgjedhur të luante në Paris pavarësisht vështirësive, pasi beson se përballimi i momenteve të vështira do ta ndihmojë të rikthehet më e fortë.

Ajo pranoi se mungesa e besimit dhe e ndeshjeve ndikoi shumë në lojën e saj, por theksoi se po përpiqet të ruajë forcën mendore përballë problemeve të vazhdueshme që ka kaluar që pas triumfit historik në US Open në vitin 2021.

Tashmë, fokusi i Raducanu dhe trajnerit të saj do të jetë sezoni në fushat me bar dhe turneu prestigjioz i Wimbledon, ku britanikja shpreson të rikthejë formën dhe besimin.