Gjidiaj: 'Final 4' po ngre pikëpyetje për formatin dhe drejtësinë e kampionatit
Sytë e sportdashësve ishin të drejtuar te përballja vendimtare mes Egnatias dhe Vllaznisë, por ajo që po zhvillohet në prapaskenë ngre pikëpyetje të mëdha për formatin e ri të kampionatit. Përtej fushës së blertë, vëmendja është tërhequr nga problematikat e organizimit të Final 4 dhe mungesa e theksuar e tifozëve.
E ftuar në emisionin "Ora Sport", në "Ora News", ishte komentatorja e sportit, Sara Gjidiaj, e cila u shpreh se takimet e luajtura në të njëjtën ditë dhe orar duhej të kishin nisur që në javën e parë të kësaj faze, në vend që të rezervoheshin vetëm për javën e fundit. Ky ndryshim do të kishte garantuar një garë shumë më të drejtë për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në kompeticion.
"Në fakt sytë kanë qenë dje tek ndeshja midis Egnatias dhe Vllaznisë. Megjithatë, unë mendoj që kjo pjesa e ndeshjeve në një ditë, në një orar duhet të kishte filluar që javën e parë të Final 4, nuk kishte pse lihej për javën e fundit. Ndoshta nuk do të kishte shumë ndryshim, por gjithsesi për një garë sa më të drejtë do ishte më mirë.
Gjithsesi, mendoj që Final 4 ka patur pikërisht këtë qëllim, të rrisë emocionet e garës, të rrisë dhe tifozerinë. Por në fakt këtë gjë nuk e kam parë aq sa pritej dhe aq sa ishte bërë thirrja për tifozeritë.
Air Albania i zbrazur, por gjithsesi në fushë u kompensua disi ai emocion që mungonte nëpër tribuna. Dje e meritonte Egnatia, padyshim që e meritonte Egnatia, më vjen keq për situatën në të cilën gjendet Vllaznia. Ajo çfarë po tregon ky Final 4 është që klasifikimi i fundit të 36 javëve nuk do përputhet absolutisht me atë që do të dalë në fund kampion i Abissnet Superiore në përfundim të fazës Final 4", u shpreh Gjidiaj.
