Halili: Vllaznia devijoi nga identiteti i saj dhe humbi kontrollin në ndeshjen vendimtare
Para fillimit të "Final Four", pritshmëritë ishin të qarta: Vllaznia ishte pa diskutim skuadra më e fortë e kampionatit.
Ky fakt mbështetej nga statistikat e sezonit dhe dominimi absolut në përballjet direkte ndaj rivalëve si Egnatia dhe Elbasani.
Megjithatë, ajo që ndodhi në fushën e blertë ishte një vetëvrasje e vërtetë sportive, e cila ngre pikëpyetje serioze mbi aftësitë e trajnerit Edi Martini në momentet vendimtare.
I ftuar në emisionin "Ora Sport", në "Ora News", ishte gazetari Erjon Halili, i cili u shpreh se pasi dominoi për 36 javë rresht duke luajtur një futboll sulmues dhe duke mbajtur kundërshtarët vazhdimisht nën presion, pankina shkodrane mori një vendim të pakuptimtë në ndeshjen më të rëndësishme të vitit. Skuadra u urdhërua të tërhiqej në mbrojtje, duke i dorëzuar kontrollin e topit Egnatias për të provuar goditjen në kundërsulm. Kjo lëvizje theu plotësisht identitetin fitues që Vllaznia kishte ndërtuar me aq mund gjatë gjithë kampionatit.
" Në fakt para Final Four trajneri Edi Martini deklaroi që Vllaznia është skuadra më e fortë e këtij kampionati dhe të gjithë e dinë tha. Edhe unë bie dakord dhe jam dakord që Vllaznia ka qenë skuadra më e fortë këtë sezon edhe në përballjet direkte me Egnatian, me Elbasanin është në avantazh. Por kur skuadra më e fortë nuk arrin të fitojë, atëherë do të thotë që trajneri nuk ka qenë në lartësinë... nuk ka qenë trajneri më i fortë në krye të kësaj skuadre më të fortë. Dhe çuditërisht Martini që ka marrë rezultate, dy fitore, dy barazime me Egnatian gjatë kampionatit këtë sezon dhe duke luajtur lart dhe duke e sulmuar, dje zgjodhi strategji krejt tjetër. Tërhoqi skuadrën mbrapa, i la topin Egnatias, preferoi ta kapin në kundërsulm, ndërkohë që Vllaznia 36 javë kampionat nuk ka luajtur asnjëherë e tërhequr mbrapa.
Nuk ia ka lënë asnjëherë topin kundërshtarit dhe të mbrohet. Dhe befas e bën këtë në ndeshjen më të rëndësishme. Tërhiqet mbrapa, i lë topin, "e lamë me vetëdije" tha zëvendëstrajneri Ergi Borshi mbas ndeshjes sepse donim ta kapnim në kundërsulm. Dhe ndërkohë pas golit, shtoi presionin, arriti të gjejë golin e barazimit dhe sërish u tërhoq mbrapa pa kuptim, filloi të vonojë lojën. A thua sikur Vllaznisë nuk i duhej fitorja dje", u shpreh Halili.
