Mërgjyshi: Cilësia dhe pjekuria e Egnatias bënë diferencën në momentet vendimtare të kampionatit

Kampionati po shkon drejt një fundi dramatik, por një skuadër po vërteton se është e pamposhtur kur bëhet fjalë për ndeshjet vendimtare. Egnatia ka arritur të heshtë të gjithë skeptikët, duke vendosur diktatin e saj pikërisht atëherë kur pakkush e priste, veçanërisht pas përballjes së fundit ku justifikoi çdo pritshmëri kundër Vllaznisë.

I ftuar në emisionin "Ora Sport", në "Ora News", ishte trajneri i futbollit Artan Mërgjyshi, i cili u shpreh se megjithëse vëmendja gjatë sezonit ishte përqendruar shpesh te ecuria e Vllaznisë dhe Elbasanit, Egnatia ka treguar një pjekuri të jashtëzakonshme.

Skuadra ka dëshmuar se ka kualitetin, cilësinë dhe bindjen psikologjike të duhur për të fituar trofe. Në ndeshjet e fundit, të cilësuara si finale të vërteta, ata kanë menaxhuar energjitë në mënyrë perfekte dhe kanë shpalosur një potencial të frikshëm në fushë, pa u shpërqendruar për asnjë moment.

"Po themi që pritshmëritë u justifikuan sidomos me ndeshjen Vllaznia me Egnatian, dje, dhe Egnatia tregoi edhe një herë kur gjatë gjithë këtij kampionati, gjatë gjithë këtij rrugëtimi pak e mendonin Egnatian. Duke pasur dhe ecurinë e Vllaznisë dhe të Elbasanit gjatë gjithë kampionatit, pak e mendonin se Egnatia edhe këtë herë do të vendoste diktatin në fund. Por në bazë edhe të formulës, Egnatia ekipin e ka, e ka ekipin e pjekur. Por e vërteta e këtij kampionati është se me ç'po duket bathët, domethënë që kampionatin po e merr skuadra që është më e fortë, më e pjekur dhe më e mësuar për të fituar trofe. E ka kualitetin, e ka cilësinë. Skuadra ka qenë gjithmonë aty. Në këto tre ndeshje që mund t'i quajmë të treja finale, këto dy që i ka interpretuar, i ka interpretuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka mbledhur, ka ruajtur energjitë, nuk është shpërqendruar, ka qenë e bindur psikologjikisht për forcën dhe potencën e saj dhe në fund e ka shpalosur gjithë potencialin me këto rivalë që për hir të vërtetës duhet thënë që qoftë Vllaznia, qoftë Elbasani e kanë humbur ritmin e kampionatit në fund. Pra, me ato polemika, me ato diskutime që janë bërë edhe në studion tuaj, për atë uljen e marshit, kanë ndikuar negativisht për formën e tyre. Kurse Egnatia, finalja e Kupës e ka mbajtur më në gardë dhe më në tonus, por siç thashë edhe më përpara që cilësia më shumë e Egnatias ka bërë diferencën në këto ndeshje", u shpreh Mërgjyshi.