Irani ekz*kuton të akuzuarin për spiunazh ndaj SHBA-së dhe Izraelit

Irani ka ekzekutuar një burrë të identifikuar si Mojtaba Qian, i akuzuar për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin gjatë një konflikti të fundit, sipas raportimeve të mediave zyrtare iraniane.

Sipas autoriteteve, ai dyshohej se kishte dërguar informacione të ndjeshme mbi industrinë ushtarake dhe kapacitetet mbrojtëse të Iranit gjatë përshkallëzimeve të fundit me SHBA-në dhe Izraelin.

Ekzekutimi është kryer në orët e para të mëngjesit.

Ngjarja vjen në një periudhë kur organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut raportojnë një rritje të ndjeshme të dënimeve me vdekje në Iran, kryesisht për raste që lidhen me spiunazh dhe siguri kombëtare.

Sipas raportimeve të Amnesty International, Irani renditet ndër vendet me numrin më të lartë të ekzekutimeve në botë, pas Kinës. Organizata të tjera si Iran Human Rights dhe ECPM kanë bërë të ditur se gjatë vitit 2025 janë regjistruar mbi 1,600 ekzekutime, shifra më e lartë e dekadave të fundit.