Aksidenti i frikshëm në Shkodër/ Gjykata lë në burg shoferin e mjetit, mbrojtja 36-vjeçarit pretendon se ka skizofreni
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën “arrest me burg” për Adnan Galicën, i dyshuar si përgjegjës për aksidentin e rëndë që ndodhi pak ditë më parë në qytet.
Nga ngjarja humbi jetën 62-vjeçari Shkëlqim Krasniqi, ndërsa u plagosën një baba dhe dy fëmijët e tij të mitur.
Gjatë seancës, mbrojtja ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie, duke pretenduar se 36-vjeçari ka probleme të shëndetit mendor, përfshirë skizofreni dhe epilepsi, dhe se duhet të trajtohet në kushte spitalore.
Sipas avokatit, gjendja e tij kërkon mbikëqyrje mjekësore dhe jo qëndrim në paraburgim, ndërsa është kërkuar edhe një vlerësim i plotë nga ekspertët mjeko-ligjorë për të përcaktuar përgjegjësinë e tij në momentin e ngjarjes.
Në seancë është përmendur edhe fakti se i dyshuari ka pasur më herët një aksident të rëndë në moshën 18-vjeçare, që i ka lënë pasoja në shëndet.
Edhe mjeku i spitalit rajonal të Shkodrës ka sugjeruar trajtim spitalor deri në sqarimin e plotë të gjendjes së tij.
Prokuroria ka kërkuar arrest me burg duke marrë parasysh pasojat e rënda të aksidentit, kërkesë që është pranuar nga gjykata.
Galica nuk ka dhënë deklarime në seancë, për shkak të gjendjes shëndetësore dhe gjendjes së shokut pas ngjarjes.
Ndërkohë pritet ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë gjendjen e tij psikike dhe përgjegjësinë ligjore në momentin e aksidentit.

