IKËN SHEFJA E INTELIGJENCËS/ Tulsi Gabbard jep dorëheqjen nga posti për arsye familjare

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare amerikane, Tulsi Gabbard, ka njoftuar dorëheqjen nga posti që mban në administratën Trump. Ajo tha se vendimi lidhet me diagnostikimin e bashkëshortit të saj me një formë të rrallë kanceri në kocka. Gabbard largohet pas muajsh tensionesh dhe përplasjesh me Shtëpinë e Bardhë, kryesisht për qëndrimet ndaj Iranit.

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Tulsi Gabbard, ka njoftuar dorëheqjen nga posti i saj, me efekt nga 30 qershori.

Në një letër drejtuar presidentit amerikan Donald Trump, ajo deklaroi se po largohet për t’u kujdesur për bashkëshortin e saj, Abraham Williams, i diagnostikuar me një formë shumë të rrallë të kancerit në kocka.

Në letrën e dorëheqjes, Gabbard shkruan se bashkëshorti i saj ka qenë mbështetja më e madhe gjatë gjithë karrierës së saj politike dhe ushtarake, ndaj nuk mund ta përballojë i vetëm këtë betejë.

Presidenti Trump reagoi menjëherë, duke e falënderuar për punën në krye të inteligjencës amerikane dhe duke konfirmuar se zëvendësi i saj, Aaron Lukas, do të marrë përkohësisht drejtimin e institucionit.

Largimi i Gabbard vjen pas muajsh tensionesh me Shtëpinë e Bardhë, veçanërisht lidhur me qëndrimet ndaj Iranit. Ajo pati kundërshti publike me administratën Trump mbi programin bërthamor iranian dhe justifikimet për sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore në Iran.

Në disa raste, Gabbard deklaroi se inteligjenca amerikane nuk kishte prova që Irani po rindërtonte kapacitetet për pasurimin e uraniumit, duke rënë ndesh me deklaratat e presidentit Trump dhe zyrtarëve të tjerë të administratës.

Ish-kongresmenja demokrate nga Hawaii, e cila më vonë iu bashkua Partisë Republikane dhe mbështeti Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2024, ishte emëruar në krye të inteligjencës amerikane pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë.