Lëvizje e re në Lindjen e Mesme/ Katari ndërhyn si ndërmjetës në bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së

Lëvizje e re në Lindjen e Mesme/ Katari ndërhyn si
Një ekip negociator nga Katari ka mbërritur në Teheran në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të ndërmjetësuar një marrëveshje që synon uljen e tensioneve dhe përfundimin e konfliktit me Iranin. Lëvizja bëhet në koordinim me Shtetet e Bashkuara.

Sipas raportimeve të Reuters, Katari po rikthehet në rolin e ndërmjetësit në rajon, pavarësisht tensioneve të mëparshme me Iranin, ku gjatë konfliktit janë raportuar edhe sulme që kanë dëmtuar infrastrukturë energjetike në zonën e Ras Laffan.

Aktualisht mes Iranit dhe aleatëve SHBA–Izrael është në fuqi një armëpushim i brishtë.

Megjithatë, bisedimet mbeten të vështira për shkak të mosmarrëveshjeve për programin bërthamor të Iranit dhe çështjen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë e rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.

Një burim iranian për Reuters bën të ditur se ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare, por palët janë afruar më shumë në ditët e fundit.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë të ditur se ka shenja pozitive në procesin diplomatik, ndërsa shton se në negociata janë të përfshirë edhe ndërmjetës si Pakistani dhe disa vende të Gjirit, përfshirë Katarin.