“Premtuan ulje shpenzimesh me reformën territoriale”/ Haxhimali zbulon si u dyfishua numri i punonjësve

Debati për një reformë të re administrativo-territoriale është ndezur sërish, ndërsa Komisioni i Posaçëm Parlamentar ka nisur punën për të rishikuar ndarjen aktuale të vendit.

Reforma e vitit 2015, e cila synonte të krijonte ekonomi shkalle dhe të përmirësonte shërbimet për qytetarët, vihet nën dyshim jo vetëm për arritjen e objektivave, por edhe për mënyrën se si u miratua.

Eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali, i ftuar në një intervistë në “Ora News” argumenton se një nga dështimet kryesore të reformës së kaluar ishte mungesa e konsensusit politik. Sipas tij, miratimi i njëanshëm i saj bëri që reforma të ishte vazhdimisht e kontestuar, pavarësisht vlerave që mund të kishte. Ai thekson se presioni publik dhe pakënaqësia e përgjithshme e qytetarëve ndaj shërbimeve vendore duhet të shërbejnë si një shtysë e fortë për mazhorancën dhe opozitën që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse këtë herë.

“Qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, janë kritikë me rezultatet e reformës së 2015-ës, me shërbimet, me përfaqësimin dhe me rolin e bashkive. Kjo është një thirrje e qartë për palët politike që diçka nuk shkon dhe duhet rregulluar,” shprehet Haxhimali.

Por të dhënat konkrete zbulojnë një panoramë edhe më shqetësuese. Një nga premtimet kryesore të reformës së vitit 2015 ishte ulja e shpenzimeve administrative përmes reduktimit të numrit të njësive vendore nga 308 komuna dhe 65 bashki në vetëm 61 bashki. Megjithatë, shifrat tregojnë të kundërtën.

Sipas ekspertit Haxhimali, i cili i referohet të dhënave nga Ministria e Financave, jo vetëm që nuk u kursyen 60-80 milionë eurot e premtuara, por shpenzimet administrative janë rritur. Më alarmant është fakti që numri i punonjësve në administratën vendore është pothuajse dyfishuar. Para reformës, njësitë vendore kishin rreth 20,000 të punësuar. Sot, në 61 bashkitë, numri i punonjësve pritet të arrijë në 39,100, duke treguar një dështim të plotë të objektivit për të krijuar një administratë më efikase dhe më të vogël.

Ndërsa klasa politike diskuton për hartën e re, sfida kryesore mbetet tejkalimi i interesave partiake dhe ndërtimi i një reforme të bazuar në të dhëna dhe konsensus të gjerë. Dështimi i reformës së kaluar për të përmbushur premtimet e saj themelore, veçanërisht në aspektin financiar dhe administrativ, shërben si një paralajmërim i qartë se një proces i nxituar dhe i njëanshëm rrezikon të prodhojë sërish rezultate të padëshiruara për qytetarët dhe financat publike.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME AGRON HAXHIMALIN