Integrimi në BE në udhëkryq, Bala: Çdo vonesë është një lajm shumë i keq për shqiptarët
Shqipëria ndodhet në atë që përshkruhet si momenti më i mirë për të përshpejtuar rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, por dinamikat e brendshme politike dhe rreziku i vonesave po kthehen në një kërcënim serioz për këtë objektiv kombëtar.
Analisti Alban Bala, në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, deklaroi se interesi madhor publik mbetet një përafrim sa më i shpejtë, sa më i mirë dhe sa më i plotë me BE-në dhe institucionet e saj.
Në këtë kontekst, çdo vonesë apo humbje e këtij momenti konsiderohet një "lajm shumë i keq për të gjithë publikun shqiptar".
Bala theksoi se është thelbësore që qytetarët të kuptojnë efektet reale të një vonese dhe të një "distancimi eventual" nga blloku europian, i cili mund të thellohet më tej. Mbetet ende e paqartë nëse vendimi përfundimtar i partnerëve europianë do të jetë një mbështetje konsensuale apo një bllokim konsensual, por një gjë është e sigurt: Shqipërisë i janë vendosur kushte të qarta.
Përgjigja ndaj këtyre kushteve ka prodhuar një polarizim të theksuar të qëndrimeve në skenën politike, ku palët kundërshtojnë njëra-tjetrën. Megjithatë, Bala tha se vihet re edhe një lloj harmonizimi kur bëhet fjalë për thelbin e shqetësimit të Bashkimit Europian: "ndarja e sistemeve".
Po ashtu Bala nënvizon se kundërshtimi i reformave në drejtësi nga çdo palë politike krijon një "kakofoni logjike" në qëndrimin publik dhe minon parimin e ndarjes së pushteteve. Situata aktuale paraqet një paradoks, ku palët politike, ndërsa përplasen për afrimin me BE-në, njëkohësisht përfshihen në një garë shkatërruese për të parë se "kush kundërshton më shumë, kush rrëzon më shumë dhe kush cenon më shumë", duke dëmtuar kështu procesin integrues.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”

