Kryebashkiakët e Kurbinit dhe Mirditës: Shtimi i kompetencave të bashkive të shoqërohet me fonde

Sfidat e bashkive Kurbin dhe Mirditë në menaxhimin e territorit si dhe përmirësimi i mëtejshëm i shërbimeve ndaj qytetarëve ishin në fokus të seancës dëgjimore të zhvilluar sot në komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara dhe kryetari i bashkisë Mirditë, Albert Melyshi parashtruan sot para anëtarëve të komisionit sugjerimet e tyre në kuadër të përgatitjeve për Reformën Administrativo-Territoriale, të cilat synojnë veçanërisht ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me organizimin territorial të bashkisë Kurbin, Cara u shpreh se nuk ka nevojë për rishikim territorial të kësaj bashkie.

“Nga opinionet e qytetarëve dhe nga takimet e shpeshta dhe dëgjesat me ta nuk besoj se ka nevojë për copëtim apo shtim të territorit të bashkisë Kurbin”, tha Cara.

Ndërsa për sa i përket njësive administrative, Cara u shpreh se me reformë e re territoriale mund të shihet mundësia e shtimit të kompetencave të administratorëve të të gjitha njësive administrative.

“Duke qenë se bashkia Kurbin është e organizuar në 4 njësi administrative: Laç, Mamurras, Fushë-Kuqe dhe Milot dhe ato kanë afërsi gjeografike me njëra-tjetrën mund të shihet me reformën e ardhshme një shtim i kompetencave të administratorëve, por nuk ka nevojë për shtim apo copëzim të tyre”, tha Cara.

Ndërsa kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi kërkoi rikthimin e territorit të Mirditës në kufijtë e vjetër administrativë.

“Bashkia Mirditë ka një veçori ndryshe nga bashkitë e tjera edhe në aspektin historik të saj. Në takimet me qytetarët për ndarjen territoriale ka një diskutim për kufijtë etnografikë dhe kufijtë e vjetër historikë të vetë Mirditës. Mirdita ka pasur një sipërfaqe afërsisht prej 1703 km2 në vitin 1949 dhe sot është afërsisht 867 km2”, tha ai, ndërsa shtoi se “Mirdita ka një kërkesë pothuajse unanime për të shkuar në kufijtë historikë të saj”.

Melyshi u shpreh se në një rast të tillë, zgjerimi i territorit duhet të shoqërohet me shtim të financave, pasi mungesa e tyre do të kushtëzonte shërbimet ndaj qytetarëve.

“Mirdita ka aktualisht shtatë njësi administrative. Kalimi nga komunat në organizimin me njësi administrative dhe heqja e shumë kompetencave të njësive administrative ka sjellë uljen e numrit të popullsisë në këto njësi administrative”, tha Melyshi, i cili kërkoi po ashtu forcimin e rolit të kryebashkiakëve.

Sipas tij, “njësitë administrative duhet të kenë më shumë kompetenca dhe një rol më të fortë në territor”.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu solli në vëmendje ndarjen territoriale me reformën e vitit 2014, e cila sipas tij ka qenë e padrejtë për disa bashki.

Ai bëri një paralelizëm mes qarkut Gjirokastër ku janë ruajtur shtatë njësi vendore dhe qarkut të Lezhës që ka një popullsi 2,2 herë më shumë se qarku i Gjirokastrës që ka vetëm tri bashki.

“Në qarkun e Lezhës kemi bashkinë e Shëngjinit që nuk është më bashki, të Rubikut që nuk është më bashki, të Laçit që nuk është më bashki, kemi qytezën e Milotit që nuk është më bashki. Pra, ka pasur zona urbane. Kjo është për të kuptuar se ka pasur një qasje totalisht ekstreme dhe të padrejtë me atë ndarje”, tha Mziu.

Ndërkohë, Mziu pyeti kryebashkiakët mbi situatën e investimeve në arsim e shëndetësi.

Cara solli në vëmendje disa prej investimeve të realizuar në bashkinë Kurbin, ku sipas saj, “ka pasur rezultate të suksesshme”.

“Këtë e mbështes edhe me fakte, me ato që janë realizuar në bashkinë Kurbin kundrejt investimeve në vitin 2014. Kemi investime në infrastrukturë, në shkolla, në kopshte e çerdhe. Patjetër që ka vend për përmirësim, por ne i shërbejmë çdo qytetari pa dallim”, tha Cara.

Cara sqaroi po ashtu se rritja e numrit ë punonjësve ka ardhur si rezultat i shtimit të disa funksioneve të deleguara që kanë ardhur dhe nga disa shërbime të tjera që janë shtuar në bashkinë Kurbin, për t’i ardhur pranë qytetarëve.

Ajo theksoi po ashtu se shtimi i kompetencave të deleguara duhet të shoqërohet po ashtu me fonde, për të mos vendosur në vështirësi bashkinë.

“Shërbimi arsimor ka pasur investime të jashtëzakonshme në infrastrukturat e këtyre institucioneve po të marrësh 30 vite së bashku. Për sa i përket pronës dhe Kadastrës kemi një marrëveshje me ASHK-në dhe kemi zyrat që i shërbejnë qytetarëve. Nëse Kadastra do të ishte pranë bashkive mendoj se shërbimi do të ishte më eficent ndaj qytetarëve”, tha Cara.