VIDEO/ “Oborret që Flasin”, Himara hap dyert e kujtesës dhe trashëgimisë kulturore
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se projekti “Oborret që Flasin”, i mbështetur nga MTKS dhe bashkia Himarë, synon të hapë oborret e pesë shtëpive tradicionale të gurta të qytetit bregdetar të Himarës, si hapësira të trashëgimisë kulturore dhe të kujtesës.
Gonxhja theksoi se projekti nuk fokusohet vetëm tek arkitektura tradicionale, por edhe te ruajtja e historive dhe traditave familjare që janë përcjellë ndër breza.
“”Oborret që Flasin” është një projekt i mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Bashkia Himarë, i cili synon të hapë me respekt dhe kujdes oborret e 5 shtëpive tradicionale të gurta të Bregut të Himarës, jo thjesht si pjesë të trashëgimisë arkitekturore, por si hapësira të kujtesës së jetuar”, u shpreh ai.
Sipas ministrit, në këto oborre ruhen ende rrëfime familjare, tradita, këngë, punë dore dhe mënyra jetese që kanë kaluar brez pas brezi, shpesh të mbajtura gjallë nga gratë e komunitetit.
Ai veçoi gjithashtu Shtëpinë e Gurtë në Kalanë e Himarës, të familjes Bollano, si një nga ndalesat më të veçanta të këtij itinerari kulturor.
Shtëpia e Gurtë në Kalanë e Himarës, e familjes Bollano, është një banesë tradicionale prej guri e ndërtuar rreth vitit 1844 dhe e ruajtur përmes katër brezave. Oborri i vogël, i mbushur me bimë aromatike si rozmarina dhe dafina, krijon një atmosferë të qetë mikpritjeje familjare.
Ministri nënvizoi se vizitorët mund të përjetojnë degustime të produkteve lokale, si bukfiku, gliko dhe çaj mali, të shoqëruara me histori nga jeta e përditshme e zonës.
“Një ndalesë e rrallë për turizëm kulturor dhe historik në zemër të Himarës”, e cilësoi Gonxhja këtë destinacion, duke vlerësuar potencialin e tij për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në jug të vendit.

