Këpucët që nuk ecën më, dhe fatet që u nisën këmbëzbathur për në përjetësi
Në bregun lindor të Danubit, në Budapest, aty ku lumi rrjedh pa e ditur se ç’ka mbartur në gjoksin e tij, gjenden gjashtëdhjetë palë këpucë. Të heshtura, të ndryshkura, të shpërndara si nga një ikje e papritur. Nuk janë këpucë të zakonshme. Janë të modës së vjetër, grash, burrash, fëmijësh, dhe duken sikur sapo janë lënë pas, sikur ata që i kishin më parë janë zhdukur në një hapësirë pa kthim.
Ato janë prej hekuri, por peshojnë më shumë se çdo dhé. Peshojnë sa historia, sa dhimbja, sa mungesa. “Këpucët në Shëtitoren e Danubit” është një nga ato memoriale që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha. Ai nuk kërkon zë, sepse është vetë një ulërimë e heshtur. Është dëshmia që bën kujtesën të rrjedhë njësoj si lumi: pa kthim, por jo pa gjurmë.
Memoriali u krijua në vitin 2005 nga regjisori Can Togay dhe skulptori Gyula Pauer, në nderim të mijëra hebrenjve hungarezë të cilët, në dimrin e tmerrshëm të viteve 1944-1945, u vranë barbarisht nga milicitë e Partisë së Kryqit të Shigjetës. Viktimat u rreshtuan buzë lumit, u detyruan të hiqnin këpucët dhe u qëlluan që trupi i tyre të zhdukej me rrjedhën e Danubit. Ishin fëmijë, gra shtatzëna, pleq, të rinj. Këpucët e tyre mbetën. Këpucët, të cilat në kohë lufte ishin mall i çmuar, janë sot kujtimi më i rëndë që një qytet mund të mbajë mbi beton.
Në tre pllaka të vogla gize, në gjuhët hungareze, angleze dhe hebraike, lexohet: “Në kujtim të viktimave të qëlluara në Danub nga milicët e Kryqit të Shigjetës në vitet 1944-45.” Fjalë të pakta për një histori që nuk ka fund.
Ajo që e bën këtë memorial të veçantë nuk është vetëm forma e tij artistike, por përmasat e thella simbolike dhe etike që mbart. Këpucët janë shenja të jetës. Janë mbetje të një njeriu që s’mund të ecë më, që u ndalua me dhunë nga rruga e tij. Në një kohë kur njeriu u kthye në numër, në objekt, në shënjestër, këpucët mbetën si prova e të qenit dikush, e të pasurit një identitet. Ato nuk janë relike muzeale. Janë klithma të formësuara në hekur.
Përmes tyre, i gjithë qyteti bëhet pjesë e një riti kujtese. Çdo kalimtar ndalet, dhe sytë i lëshohen në heshtjen e tyre. Heshtje që flet më shumë se çdo përkujtimore e zyrtarizuar. Në këtë vend, memoria nuk është e ngrirë në një pllakë, por e ngulitur në tokën që njerëzit shkelin çdo ditë, një thirrje që bën jehonë: mos harro!.
Kujtimet nuk kanë nevojë të jenë të zhurmshme për të qenë të dhimbshme. Ato kanë nevojë të mos harrohen.
Memoriale si ky nuk janë vetëm për viktimat. Janë për ne, që vijmë pas. Janë pasqyra që na tregojnë çfarë ndodh kur njeriu hesht, kur liria dhunohet dhe kur urrejtja lejohet të bëhet ligj. Në thelb, “Këpucët në Shëtitoren e Danubit” nuk janë vetëm dëshmi e një krimi të shkuar. Janë një paralajmërim. Sepse e shkuara, kur nuk mësohet, është gjithmonë e gatshme të përsëritet.
Në një kohë kur memoria rrezikon të hollohet në informacion të përtypur shpejt, kur historia rishkruhet për interesa momentale dhe e vërteta relativizohet, monumente të tilla bëhen më të domosdoshëm se kurrë. Ato na kujtojnë se kujtesa është akt moral. Dhe se harresa është komplicitet.
Të shikosh ato këpucë dhe të ndjesh se janë më shumë se hekur dhe formë,është të ndjesh peshën e njerëzores që nuk duhet të harrohet kurrë. Ato nuk janë thjesht skulptura, por pyetje:
Po ti, ç’do kishe bërë? Po ti, a do të kishe heshtur?

