MË SHUMË PËR LETËRSINË E ARTIN/ Poeti Mujë Buçpapaj zgjidhet kreu i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve

Poeti Mujë Buçpapaj u zgjodh kryetar i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë me shumicë votash, gjatë Kuvendit të shtatë të organizatës, të mbajtur këtë të martë.

Menjëherë pas zgjedhjes, ai foli për bashkëpunimet dhe planet e ardhshme në fushën e letërsisë dhe arteve të bukura, të cilat i cilësoi si prioritete të mandatit të tij.

Si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ai vuri në dukje rëndësinë e hartimit të ligjeve që mbështesin të rinjtë në fushat artistike, duke përmendur edhe vështirësitë me të cilat përballen institucionet kulturore për shkak të mungesës së fondeve dhe hapësirave të punës.

Për vazhdimësinë dhe përfshirjen e artistëve të rinj foli edhe ish-kryetari i Lidhjes, Hysen Sinani.

Lidhja e Shkrimtarëve u krijua më 7 tetor 1945 dhe më pas u bashkua me Lidhjen e Artistëve, duke u shkrirë në një organizatë të vetme në Kuvendin e parë të mbajtur në vitin 1957.

Organizata artistike po kërkon të ringrihet sërish në një kohë kur letërsia dhe arti po përballen me sfida.