PAMJET/ Zbulim arkeologjik në fshatin Xengë të Divjakës

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) kanë zbuluar material arkeologjik, në fshatin Xengë të Bashkisë Divjakë.

Gjatë verifikimeve në “Kodrën e Ullishtës”, e cila shtrihet në lindje të kishës së Shën Kollit, të fshatit Xengë, u konstatua prania e materialit arkeologjik, kryesisht material ndërtimor, fragmente tullash dhe tjegullash, si edhe fragmente enësh qeramike të përdorimit të përditshëm.

Mendohet se, gjetjet datojnë në një hark të gjerë kohor, nga shekulli IV p.e.s. deri në Mesjetën e Vonë, duke dëshmuar për një përdorim të gjatë dhe rëndësi të vazhdueshme të kësaj zone në periudha të ndryshme historike.

PAMJET/ Zbulim arkeologjik në fshatin Xengë të Divjakës

Materialet e gjetura dëshmojnë për gjurmë të rëndësishme të aktivitetit njerëzor në këtë zonë dhe sugjerojnë ekzistencën e një vendbanimi ose strukture arkeologjike, i cili meriton studim dhe dokumentim të mëtejshëm.

IKTK bëri të ditur se, gjetjet arkeologjike në fshatin Xengë i kontribuojnë zgjerimit të mëtejshëm të njohurive mbi potencialin arkeologjik të territorit të Divjakës dhe hedhin dritë mbi vazhdimësinë e jetës përgjatë epokave të ndryshme historike.