KQZ miraton fletën e votimit me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim sot për miratimin e dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit për votimin me postë jashtë vendit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit, fletëvotimi i miratuar do të përdoret vetëm për procesin e votimit me postë, i cili pritet të nisë më 25 maj dhe të përfundojë më 6 qershor 2026.

Në bazë të Rregullores Zgjedhore për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurojë që votuesve të regjistruar për votim me postë t’u dërgohet përmes postës pakoja me materialet zgjedhore, përfshirë edhe fletëvotimin.

Lidhur me këtë pikë, anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, tha se bëhet fjalë për të njëjtin format të fletëvotimit.

“Është i njëjti format, janë të njëjtat elemente që e përcaktojnë fletëvotimin për nga dukja dhe të themi elementet e sigurisë. Ideja është që të procedojmë sa më parë që të zëmë afatet ne e kemi trajtuar dhe e rekomandojmë për miratim në KQZ”, ka thënë ai.

KQZ mori vendim edhe për certifikimin e 902 kandidatëve të 21 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Kandidatët e certifikuar përfaqësojnë 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur.

Nga ky numër i përgjithshëm i kandidatëve, 593 janë burra dhe 309 gra. /KosovaPress