GREQIA KUFIZIME SKUTERËT ELEKTRIKË/ Qeveria propozon ndalimin e pajisjeve në ishujt turistikë
Qeveria greke po planifikon masa më të forta për përdorimin e skuterëve elektrikë dhe mjeteve me katër rrota në ishujt turistikë. Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, tha se siguria rrugore gjatë sezonit veror mbetet një shqetësim serioz për shkak të aksidenteve të shumta, teksa paralajmëroi kontrolle të shtuara dhe rregulla më të rrepta për përdoruesit e këtyre mjeteve
Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chryssochoidis, deklaroi se përdorimi i skuterëve elektrikë nga të miturit dhe qarkullimi i mjeteve me katër rrota në ishujt grekë përbëjnë një problem serioz për sigurinë rrugore.
Në një intervistë për ErtNews TV, ai tha se autoritetet po shqyrtojnë vendosjen e rregullave më të forta për përdorimin e skuterëve elektrikë.
Sipas ministrit, masat do të përfshijnë kufizime të shpejtësisë, ndalimin e qarkullimit në autostrada dhe rrugë me shpejtësi të lartë, sigurimin e detyrueshëm dhe certifikatat e sigurisë për mjetet.
Po ashtu, bashkive do t’u kërkohet të përcaktojnë një numër maksimal skuterësh për çdo zonë, për të shmangur përhapjen e pakontrolluar të tyre.
Chryssochoidis u ndal edhe te përdorimi i motorëve me katër rrota, të njohur si ATV, veçanërisht në ishujt turistikë grekë.
Ai tha se përdorimi i helmetës duhet të jetë i detyrueshëm dhe të përfshihet në çdo kontratë qiraje për turistët.
Ministri theksoi se do të preferonte ndalimin e plotë të ATV-ve në ishuj, për shkak të aksidenteve fatale të regjistruara, sidomos mes turistëve gjatë sezonit veror.
Sipas tij, policia greke do të shtojë kontrollet gjatë verës, ndërsa efektivë të policisë rrugore nga Athina do të transferohen përkohësisht në ishuj për të monitoruar situatën.