Rama: Vizitat në Gjermani dhe Estoni, të lidhura me integrimin europian dhe sigurinë e Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama ka ndarë detaje nga vizitat e tij në Gjermani dhe Estoni, duke i cilësuar ato si të lidhura ngushtë me rrugën europiane të Shqipërisë, sigurinë euroatlantike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
" Këtë javë e nisa me një vizitë në Gjermani dhe më pas në Estoni. Dy ndalesa të lidhura drejtpërdrejt me të ardhmen europiane të Shqipërisë, me sigurinë euroatlantike dhe me vetë momentin që po kalon Shqipëria në rrugën e saj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në Aachen të Gjermanisë pata kënaqësinë dhe nderin të jem sërish pjesë e grupit të miqve të nderit të ceremonisë prestigjioze të Çmimit të Karlit të Madh, një nga vlerësimet më të rëndësishme europiane për kontributorët në bashkimin dhe në të ardhmen e Europës, ku europiani i madh Mario Draghi u vlerësua me Çmimin Karli i Madh 2026.
Ndërsa më pas, në Tallinn të Estonisë, isha i ftuar në konferencën e rëndësishme Lennart Meri, një nga forumet më prestigjioze ndërkombëtare për sigurinë, diplomacinë dhe marrëdhëniet transatlantike. Një moment me rëndësi ishte edhe anëtarësimi zyrtar i Shqipërisë në NATO Cooperative Cyber Defence Centre of Excellence, një nga strukturat e reja dhe më të avancuara të aleancës në mbrojtjen kibernetike dhe një hap strategjik për vetë Shqipërinë si një nga kontributorët në sigurinë kibernetike të aleancës, e cila vendoset tanimë në një nivel tjetër bashkëpunimi brenda aleancës, për një fushë që sot është një nga frontet më kritike të sigurisë sonë dhe të sigurisë globale në tërësi.
Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Estonisë hyjnë në një fazë të re bashkëpunimi, posaçërisht në teknologji, digjitalizim, inteligjencë artificiale, inovacion në tërësi, ku Estonia ka qenë një pioniere dhe ku sot Shqipëria shihet me respekt dhe unë u ndjeva mirë, për hir të së vërtetës, pasi miqtë estonezë ishin shumë të informuar për zhvillimet teknologjike dhe digjitale të Shqipërisë dhe, nga ana tjetër, shumë të interesuar edhe ata për të forcuar komunikimin, bashkëpunimin dhe ndërveprimin mes dy vendeve tona", u shpreh Rama