Nga sakrifica te emancipimi, Çfarë po ndryshon te gruaja shqiptare?

Në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai u trajtua tema e emancipimit, rolit të gruas në shoqëri dhe mënyra se si ka ndryshuar jeta familjare dhe shoqërore ndër breza.

Të ftuara në studio ishin psikologia Eksena Qirici dhe pensionistja Verdiana Nako, të cilat ndanë këndvështrime të ndryshme mbi sakrificën e gruas dhe vlerat që ajo ka dhënë ndër vite.

Gjatë diskutimit, Qirici u ndal te rëndësia e njohjes së kontributit historik të gruas në familje dhe shoqëri, duke theksuar se sakrifica ka qenë një vlerë e fortë e brezave të mëparshëm.

“Do të doja që të tregohej më shumë vlera që ka pasur gruaja në Shqipëri. Sakrifica për familjen është një vlerë, edhe pse sot e shohim ndryshe, ajo mbetet një kontribut i rëndësishëm për familjen dhe komunitetin”, u shpreh ajo.

Ndërsa Verdiana Nako ndau një pjesë nga jeta e saj, duke treguar për punën dhe sakrificat personale ndër vite.

“Kam punuar 40 vjet në kontroll. Kam rritur një vajzë balerinë dhe çdo gjë ia kam bërë vetë. Jeta më ka detyruar të jem e tillë, të gjej mënyra për të jetuar”, tha ajo.

Ajo shtoi gjithashtu se puna e saj e gjatë ka ndikuar edhe në formimin e ndjesisë estetike dhe mënyrës së të menduarit. Emisioni solli në vëmendje ndryshimet shoqërore, rolin e gruas në të kaluarën dhe sot, si dhe përplasjen mes vlerave tradicionale dhe realitetit modern.