Këshilla për përdorimin e kondicionerit/ Ja si ta mbani shtëpinë të freskët pa rrezikuar shëndetin e fëmijëve
Me rritjen e temperaturave, përdorimi i kondicionerit po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm edhe në familjet me fëmijë të vegjël. Sipas këshillave të specialistëve, përdorimi i tij nuk përbën problem për foshnjat apo fëmijët, nëse respektohen disa rregulla bazë.
Temperatura në ambientin ku qëndrojnë fëmijët rekomandohet të mbahet rreth 24 deri në 27 gradë Celsius. Gjithashtu, lagështia e ajrit duhet të jetë afërsisht 50 deri në 55 për qind, pasi kjo ndihmon në frymëmarrje më të lehtë dhe krijon kushte më të rehatshme në dhomë.
Një nga këshillat kryesore është që fëmijët të mos ekspozohen drejtpërdrejt ndaj ajrit të kondicionerit, pasi kjo mund të sjellë probleme shëndetësore si ftohje apo irritim të rrugëve të frymëmarrjes.
Rekomandohet gjithashtu që dhoma të ajroset për disa minuta çdo 2 deri në 3 orë, si dhe të shmangen ndryshimet e menjëhershme të temperaturës.
Gjatë udhëtimeve me makinë sugjerohet që kondicioneri të fiket pak para se fëmija të dalë nga automjeti, për të shmangur ndryshimet e forta të temperaturës.
Një tjetër element i rëndësishëm është mirëmbajtja e filtrave të kondicionerit, pasi nëse nuk pastrohen rregullisht, mund të bëhen burim papastërtish dhe infeksionesh.
Për gjumin e natës, sugjerohet që kondicioneri të mos lihet ndezur gjithë natën, por të përdoret me kujdes ose të fiket pas një kohe të caktuar.

